Qendrat e aplikimit për letërnjoftime vazhdojnë të jenë të hapura për qytetarët që duan të pajisen me karta identiteti edhe në ditët e festave kombëtare. Burime zyrtare pranë ministrisë së Brendshme konfirmojnë se me hapjen e zyrave në fundjavë dhe në ditët e pushimit në të gjithë vendin janë në funksion 410 zyra të letërnjoftimeve elektronike.

Pranë këtyre zyrave minimalisht nga një punonjës përpunohen rreth 50 aplikime në ditë. Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se në ditë prodhohen mbi 20 mijë karta. Drejtues te ministrisë së Brendshme pohojnë se me ritmet e deritanishme aplikimi dhe pajisja e qytetarëve me karta identiteti do të bëhet në kohë dhe sipas të gjitha standardeve. Sipas tyre, numri i prodhimit të kartave të identitetit është në rritje nga dita në ditë, ku këtë muaj prioritetin e kane personat pa pasaportë.

 Pak ditë më parë ministria e brendshme konfirmoi se numri i aplikimeve për letërnjoftime ka shkuar në rreth 400 mijë në ditë dhe tashmë shpërndarja ka filluar edhe në qytetet kryesore të vendit konkretisht. Kompania koncensionare e prodhimit të kartave të identitetit ka prodhuar deri me tani mbi 300 mijë letërnjoftime duke qenë kështu më afër kërkesës së qytetarëve./tvklan.al