Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Samiti i NATO-s që do të zhvillohet në fillimin e javës së ardhshme në Stamboll, nuk do të jetë vendimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior. Ministri i Jashtëm Kastriot Islami në një konferencë për shtyp ka deklaruar se anëtarësimi i vendit tonë në NATO është një proces që do të zgjasë.

Kastriot Islami: “Po punohet intensivisht mbi këshillin e ambasadorëve në Bruksel, në mënyrë që të përafrohet maksimalisht gjuha e cila sjell anëtarësimin apo marrjen e ftesës për anëtarësim në mbledhjen e ardhshme të aleancës”.

Sipas Islamit delegacioni shqiptar, i kryesuar nga presidenti Moisiu dhe ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Nano, do të synojë sigurimin e një vlerësimi maksimal nga vendeve anëtare në samit.

Kastriot Islami: “Vëmendje e veçantë i është kushtuar përcaktimeve për vendin tonë në deklaratën finale të samitit mbi të cilën do të bazoheshin veprimtaritë e ardhshme të aleancës për zgjerimin e saj dhe hartimin e programeve konkrete të veprimit në kuadrin e MAP 6, nga strukturat e shtetit shqiptar në këtë funksion”.

Ndërkohë ministri Islami ka deklaruar se së bashku me qeverinë greke garantojnë të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, se nuk do t’u krijohen pengesa nga të dyja palët në pikat kufitare si para ashtu dhe gjatë Lojërave Olimpike 2004./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka