Një 12-vjeçar është kapur nga Policia e Kavajës teksa lëvizte me armë zjarri me vete. Bëhet fjalë për këtë pistoletë që shihni në foto, e cila gjatë kqyrjes rezultoi se ishte me fishek në fole, gati për qitje.
I mituri menjëherë është shoqëruar në Polici dhe nga verifikimet rezultoi se pak ditë më parë ndaj tij ishte nisur një procedim në gjendje të lirë me dyshimin se ishte autor i dy raste vjedhjesh.
Mbi këto të dhëna uniformat blu, nuk përjashtojnë mundësinë që 12-vjeçari ta ketë vjedhur armën e zjarrit, ndonëse vetë ai nuk pranonë të flasë për mënyrën se si e ka siguruar atë.
Për rastin në fjalë, Policia ka vënë në hetim babain e tij 35-vjeçar, për “keqtrajtim të miturish”. Vetëm pak javë më parë po në Vlorë, u kap një 14-vjeçar me pistoletë dhe 130 copë fishekë luftarak.
Ndonëse rastet e mbajtjes së armëve të zjarrit nga fëmijët e mitur janë të rralla, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për përdorimin e mjeteve prerëse. Ky fakt është kthyer në shqetësim për policinë, pasi vetëm në 6 muajt e fundit numërohen mbi 10 konflikte ku të miturit në tentativë për të dëmtuar bashkëmoshatarët e tyre përdorin armë të ftohta.
Tv Klan