Në muajin Dhjetor një mision i vëzhguesve të Komisionit Evropian do të vijë në Shqipëri, për të bërë një vlerësim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e regjimit të vizave.

Duke përcjellë këtë lajm Ministri i Jashtëm Ilir Meta, tha se vendi është drejt finalizimit të të gjitha detyrimeve që garantojnë liberalizimin.

Ilir Meta: “Tashmë ne jemi në hapat final, ashtu sikurse cilëson edhe vetë emërtimi i kësaj konference. Jemi të bindur që ky progres thelbësor do të konstatohet dhe nga vetë ekspertët të cilët do vizitojnë vendin tonë. Ne në dhjetor presim misionin e parë vëzhgues për bllokun  e parë dhe misionet për blloqet e tjera në fillim të vitit të ardhshëm. Ne kemi besim se ky proces do të ecë me këtë ritëm i cili tashmë është përcaktuar në mënyrë të qëndrueshme, në mënyrë që gjatë vitit të ardhshëm të merret edhe vendimi për liberalizimin e vizave në vendin tonë”.

Deklarata u bë gjatë një tryeze të rrumbullaket me aktore të qeverise dhe organizatave jo qeveritare të cilat e shohin procesin në hapat finale të tij. Meta e konsideroi me rendësi dhe rolin e opozitës ndaj dhe ripërsëriti ftesën për bashkëpunim.

Ilir Meta: “Dua të shpreh dhe gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në mënyrë të veçantë me opozitën, pasi ajo ka një rol të pa zëvendësueshëm në të gjitha këto procese të cilat janë procese që kanë të bëjnë me një projekt afatgjatë të vendit dhe me një aspiratë mbarëkombëtare atë të integrimit evropian”.

Ambasadori Helmut Lohan, tha se komisioni KE vlerëson faktin e vëmendjes së posaçme që qeveria shqiptare i ka kushtuar reformave që realizojnë objektivin për regjim të liberalizuar të vizave. 

Helmut Lohan: “Shqipëria ka bërë hapa përpara në sigurinë e dokumenteve, por sfida qëndron në nivelin e zbatimit të reformave. Shqipëria duhet të provoje që reformat janë zbatuar dhe se janë të qëndrueshme. Komisioni do të vlerësoje çdo hap të bërë për të siguruar një vlerësim objektiv dhe nëse detyrimet janë përmbushur, KE do të dërgojë një rekomandim pozitiv në mesin e vitit 2010 për liberalizmin e regjimit të vizave”.

Eurodeputja Tanja Fajon mbështetëse e fortë e një vendimi të shpejte për Shqipërinë sikundër dhe Bosnjën thotë se në këtë drejtim nuk duhet humbur kohe.

Fajon krahasoi regjimin me viza mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe BE-ë si mure të reja ndarëse që prej rrëzimit të murit të Berlinit 20 vjet më parë. 

Tanja Fajon: “Raporti im u mbështet nga shumica e PE dhe është mesazh i fortë për Shqipërinë dhe Bosnjën. Nuk duhet të humbim kohe me Shqipërinë e te krijojmë ndarje të reja me vendet e Ballkanit perëndimor. Ne i japim mbështetje të forte politike liberalizimit të regjimit të vizave Shqipëri-BE. Jam e shqetësuar mbi faktin që nuk ka dialog të parlament. Liberalizmi i vizave është objektiv i rëndësishëm si për parlamentin, qeverinë edhe opozitën”.

Janë katër fusha ku bazohet udhërrëfyesi për Shqipërinë, që parashikon detyrime për tu përmbushur në garantimin e dokumenteve të sigurt, çështje të rendit publik, sigurisë së kufijve si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e marrëdhëniet me jashtë.

Të hënën në 16 Nëntor qeveria shqiptare ka dorëzuar një tjetër raport të detajuar mbi të gjithë punën e realizuar në këtë drejtim./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi