Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Qeveria tregon mungesë transparence për shtyrjen deri në vitin 2020 të financimeve të Korridorit 8. Fakti është bërë i ditur në media vetëm ditët e fundit në Tiranë, ndërkohë që as qeveria shqiptare, as strukturat e integrimit dhe Ministrisë së Jashtme, nuk kanë dhënë asnjë qëndrim zyrtar ndaj vendimit të Komisionit Europian.
Rajoni i Pulias, rajon përfitues i Korridorit 8, që prej Korrikut i ka kërkuar qeverisë italiane të ndërhyjë, që të mos miratohet projekti Van Miert, që e shtyn financimin e Korridorit 8 deri në vitin 2020, duke i dhënë prioritet Korridorit 10.
Ministri i Transporteve Spartak Poçi, i vetmi që është prononcuar është treguar evaziv kur ka thënë, se postimi i prioritetit mbi Korridorin 8 është thjeshtë një projekt dhe jo një vendim.
Spartak Poçi:- “Ky plan nuk është miratuar, madje nuk është miratuar as në komision, është hartuar nga ekspert, të cilët mendojnë t’i japin këto prioritete që ju i dini tashmë. Do të jetë BE dhe institucione të tjera të këtij unioni, që do të vendosin për programet. Janë këto që marrin vendime, për të përcaktuar dhe prioritete dhe sasinë e financimit që do të ketë çdo prioritet”.
Zyra e Komisionit Europian në Shqipëri, deklaron zyrtarisht, se nuk ekziston një vendim i Brukselit për shmangien në kohë të financimeve të Korridorit 8. Raporti Van Miert i jep prioritet Korridorit të 10, i cili kalon nga Austria, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Hungaria, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia.
Korridori 8 është një nga korridoret paneuropian, që përshkon Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë, duke kaluar nga Durrësi, Tirana, Shkupi, Sofja, Burgasi dhe Varna. Portet italiane të Barit dhe Brindizit, konsiderohen si polet perëndimore të Korridorit 8. Korridori përfshin akse rrugore, hekurudhore, porte dhe naftësjellësa, të cilët nxisin zhvillim të shumanshëm ekonomik të vendeve që përshkojë./tvklan.al