Autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë hapa pozitive për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, megjithatë ekzistojnë akoma disa probleme strukturore. Kështu shkruan në raportin e tij për të drejtat e njeriut në Shqipëri, Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, Thomas Hammarberg.

Në dokumentin e prezantuar në Strasburg komisioneri ofroi disa rekomandime mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, sjelljen e policisë shqiptare, të drejtat e minoriteteve, mbrojtjen kundër diskriminimit, të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, të fëmijëve dhe grave, trafikun e qenieve njerëzore dhe lirinë e shprehjes.

Komisioneri Hammarberg vëren se pavarësisht kuadrit të mirë ligjor problem madhor mbetet pamjaftueshmëria e zbatimit të legjislacionit dhe korrupsioni që vazhdon të rrezikojë efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Për më tepër ai ka shprehur shqetësim për disa raste të keqtrajtimeve nga ana e policisë, dhe mungesës së hetimeve për këto raste.

Hammarberg vë theksin tek kushtet në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që burgjet njohin një mbipopullim të ndjeshëm dhe ka rekomanduar masa efektive për kapërcimin e kësaj situate.  Dhuna ndaj grave, thuhet në raport, veçanërisht ajo në familje, është një fenomen shumë i përhapur në Shqipëri. Shqetësime serioze, komisionari edhe mbi trafikimin e qenieve njerëzore./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle