Ish-Kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në protestën e mbledhur nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u shpreh se vendi gjendet përballë një katastrofe ekzistenciale.
Berisha u ndal tek largimi i shqiptarëve nga vendi dhe për këtë akuzoi kryeministrin, ku tha se Edi Rama po i bën Shqipërisë një spastrim të butë etnik.
Sali Berisha :Miq, plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opozitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës. Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.
Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre. Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiparë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës. Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues. Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre.
Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre. Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj. Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë. Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament. Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd.
Prandaj shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëria. Por siç thotë populli ynë, e keqja nuk ka fund. Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin. Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale. Miqtë e mi, spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre.
Ish-Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalimit të tij theksoi se Edi Rama e do Shqipërinë pa shqiptarë. Ai e paralelizoi atë me Vaso Çubrilloviç ku theksoi se regjimi i tij dhe ai i sotmi i Edi Ramës ngjason si dy pika uji. Berisha thotë se Edi Rama e ka pasur pjesë të axhendës së tij largimin e shqiptarëve qëkur morri pushtetin në vitin 2013.
Sali Berisha: Ne shqiptarët jemi një popull i vjetër evropian. Por duhet thënë se kemi pasur dhe kemi armiq racistë ndaj kombit, po aq të egër sa ç’ishin nazistët ndaj hebrenjve. 9 dekada më parë, Çubrilloviç shkruante tezat e tij gjenocidale ndaj shqiptarëve. I bëj thirrje çdo shqiptari t’i hedhë një sy këtij dokumenti famëzi sepse aty do zbuloni një të vërtetë shokuese. Do shikoni se platforma e Çubrilloviçit dhe regjimi i sotëm i Edi Ramës ngjasojnë si dy pika uji. Çubrilloviçi propozonte një metodë tinëzare, përdorimin e shtetit për t’ua nxirë jetën shqiptarëve, më taksa të larta, me polici të pashpirt, me mbylljen e shkollave, me gjoba dhe arrestime masive, me prishjen e banesave, me shndërrimin e pasurive përrallore në mallkim për qytetarët.
Por më vonë, OKB në nenin 2 konventës kundër gjenocideve, përcakton 5 lloje gjenocidi dhe njëri prej tyre është ai i kalkulimit të kushteve të jetesës që sjellin shkatërrimin e plotë osë të pjesshëm të një popullate. Thënë këto, çdo shqiptar duhet të pranojë të vërtetën se vjedhjet e pangopura, taksat e larta, shndërrimi i votës në krim dhe krimit në votë, kanabizimi i vendit, zëvendësimi i shtetit ligjor me narkoshtetit, lirimi i bosëve të krimit, kapja e drejtësisë, lufta ndaj opozitës së vërtetë, uria e fëmijëve shqiptarë, grabitja e ilaçeve, nuk ka qenë keqqeverisje, nuk kanë qenë rastësi, jo dhe jo. Ato kanë qenë kushte të kalkuluara për nxirjen e jetës së shqiptarëve, me të cilat Edi Rama tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit.
Ai arriti të nxisë emigracionin e kaq shumë shqiptarëve sa asnjë pushtues tjetër në histori nuk kishte arritur një gjë të tillë. Ja pse Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi,nuk shfaq asnjë pengesë apo shenjë dhembshurie. Sepse Edi Rama gjithçka për të e kishte pjesë të axhendës së vet që nisi sapo mori pushtetin në vitin 2013. Sepse Edi Rama ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë.
Ndër të tjera Sali Berisha iu drejtua shqiptarëve më fjalët: Dhe nëse ka ndonjë shqiptar që mashtrohet sot nga Rilindja se sot Shqipëria është në ditët më të mira, u them mos dëgjoni denoncimet e Sali Berishës dhe as ato të medieve ndërkombëtare, por dëgjoni ndërgjegjen dhe memorien tuaj. Kujtoni se si vitin e parë në pushtet ai arrestoi 38 mijë shqiptarë të varfër për çështje civile dhe fill pas kësaj, realizoi kanabizimin e plotë të Shqipërisë me qëllim ndërtimin e narkoshtetit.
Berisha tha se PD është përballur këto tre vite me luftën politike mafioze më të egër, teksa ai theksoi se nga kjo ‘luftë’, Partia Demokratike doli e pamposhtur.
Sali Berisha: Partia Demokratike u përball në këto tre vite me luftën politike mafioze më të egër, sikur të ishim në Rusinë e Putinit, Bjellorusinë e Lukashenkos, me përpjekje monstruoze për ta bërë atë si motër të Partisë-shtet, për t’i caktuar asaj kryetarin, për t’i shkatërruar asaj identitetin. Por, ja ku jemi sot në këmbë, më të vendosur, më sovranë, më të fuqishëm se kurrë më parë. Na sekuestruan flamurin, na detyruan të merrnim pjesë në zgjedhje pa komisionerë, pa buxhet, pa vulë dhe pa emrin e kryetarit në fletën e votimit. Por dolëm të pamposhtur! Sot jemi shumica e kombit shqiptar!
/tvklan.al