Partia Demokratike së bashku me shumë qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Në podiumin e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbajti fjalën e tij edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrenë krye për të drejtat e tyre dhe të protestojnë për padrejtësitë që u bëhen. Meta nuk kurse as akuzat për kryeministrin Rama thënë se e ka mbështetur pushtetin e tij tek sistemi i drejtësisë.
“Turp për ata që ankohen të vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal. Turp për ata këshilltarë bashkiakë që nuk janë atje me Tedi Blushin përballë kryehajdutit të Tiranës. Më keni dëgjuar kur them regjimi i ‘dumdumanit’. Ky e ka bazuar pushtetin e tij te ‘dumdumanët’ të cilët thonë se afërmendsh që gjykatat do të vendosin atë që kërkon prokuroria. Duhet të mblidhemi të gjithë t’i vëmë vizën këtij regjimi i cili po zhbën Shqipërinë çdo ditë, që i ka shndërruar fëmijët në analfabetë funksionalë. Që kur u çlirua Kosova, armiqtë tanë ndoqën politikë të mençur dhe ne nuk arritëm dot në kohë të kuptonim një strategji që lexohet qartë sot, u përpoqën ta marrin kalanë nga brenda me kalin e Trojës që është, jo zoti i kësaj loje por skllav i tyre, ai është armiku më i madh i Kosovës. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Kosovës të bashkohemi për të shporrur armikun më të fëlliqur të Kosovës që quhet Edi Rama,” tha Ilir Meta.
Duke iu bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës së opozitës, Meta nuk nguroi të hedhe akuza ndaj Edi Ramës, nga ku tha se ai po cenon marrëdhëniet dypalëshe dhe vëllazërore me Kosovën.
Ilir Meta, kreu i PL: Të gjithë duhet ta dinë se Edi Rama mbështetet, financohet në Uashington, Bruksel dhe kudo nga armiqtë më të egër të Shqipërisë për t’i ngulur thika përditë Kosovës. Ai nuk bën gabime rastësisht. Mos harroni çfarë tha në Kuvendin e Kosovës në ceremoninë solemne në 10-vjetorin e saj. Tha se shikonte që Shqipëria e Kosova do të kishin në të ardhme një President të përbashkët. A nuk ishte ky si Kryeministër i Shqipërisë që hodhi në gjyq Kryeministrin e Kosovës në detyrë në atë kohë, Ramush Haradinaj? A nuk ishte ky vagabond që i vuri sanksione Albin Kurtit? A nuk ishte ky hor që në çdo samit të NATO kishte hall se mos i bënin presione Serbisë. Është shërbim ndaj Serbisë edhe në drejtim ekonomik. Ky me politikat e tij, me narkoekonominë e tij, iu ka vënë kazmën bujqësisë me qëllim, po i falimenton edhe fabrikat me kursin kriminal të Euros e të Lekut që është vetëm me paratë të drogës që vijnë këtu. Ndaj është koha të ngrihemi. Për ndërkombëtarët, nuk dua të flas shumë për ta. Ata që mbështesnin diktatorin Markos ku u ngrit populli, i thanë merr helikopterin ik se na nxitë faqen. Është detyra jonë t’ju tregojmë ndërkombëtarëve se jemi popull me dinjitet, që nuk e ha presionin për të mbajtur një kriminel këtu. Një pensionist në Velipojë merr sa 1/3 e një pensionisti shqiptar në Ulqin apo në Tuz.
Teksa përmendi arrestimet e SPAK dhe aq më tepër atë të Ilir Beqajt, Meta u shpreh se kjo nuk është as ndonjë gjë e madhe dhe as e çuditshme, për më tepër ai theksoi se drejtësia është katër vite me vonesë për të arrestuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
“Dëgjoj që thonë e arrestuan edhe Ilir Beqajn. Çudi e madhe. Edhe Artan Lames i paska nisur diçka. ‘Dumdumani’ është 4 vjet me vonesë që nuk ka arrestuar Edi Ramën, i cili me vetëdije të plotë ka firmosur 17 vendime qeverie dhe i ka imponuar ai ndërkohë që është e zeza mbi të bardhë që drejtori i prokurimeve ka qenë kundër se kanë qenë të paligjshme. Inceneratorë nuk kanë sot e kësaj dite. Këtu gjithë shteti është 5D. Erion Veliaj është me 4 vjet vonesë që nuk është në burg. Boll që ka vjedhur publikisht zyrtarisht e zeza në të bardhë me firmën e tij kompetencat e këshillit bashkiak për të futur në borxh të gjithë Tiranën për 30 vjet për një incenerator që nuk ekziston. Dumdumani thotë nuk e bllokoj se kam hallin e arbitrazhit. Por kur ke hallin e arbitrazhit pse nuk e arreston Edi Ramën me Erion Veliajn?” shtoi më tej Meta.
Në fund të fjalës së tij kreu i PL tha se rruga e opozitës për të rrëxuar këtë parti që është në krye të shtetit është pa kthim.
“Ka ardhur koha t’i paguajë të gjitha Edi Rama, prandaj të bashkuar të vendosemi në një luftë pa kthim me këtë regjim kriminal. T’u bëjmë thirrje gjithë punonjësve të shtetit të respektojnë ligjin se do përfundojnë aty ku është qeveria e 2 e Edi Ramës. Çdo drejtor policie të bëjë detyrën mos shkelë ligjin për llogari të Edi Ramës, përndryshe do ta kesh personale. I themi çdo prokurori do ta paguani do t’ja u bëjmë ‘vettingun’ edhe juve që fshini krimet e Edi Ramës dhe që mbani të arrestuar Sali Berishën për llogari të Edi Ramës. Ju horra dhe vagabondë pa personalitet. Ju Kushtetutë nuk njihni se jeni betuar te Lana, te noteria e Lanës. Asgjë nuk do të na ndalë. Deri sa ta çojmë Edi Ramën atje ku ka qeverinë e tij,” përfundoi kreu i PL.
/tvklan.al