Keir Starmer nuk priti gjatë. Brenda 24 orëve pasi laburistët u shkaktuan disfatën më të rëndë në historinë 2 shekullore politike konservatorëve, duke i larguar pas 14 vitesh në pushtet, Starmer mori mandatin dhe nisi nga puna për formimin e qeverisë së re.
Në të parin fjalim të tij në Downing Street, rrugën e famshme ku ndodhen zyrat dhe rezidencat qeveritare në Londër, Starmer u zotua të krijojë një qeveri që ka për qëllim të vetëm, t’u shërbejë britanikëve dhe të rikthejë besimin e popullit tek politika.
Pasditen e kësaj të Premteje, nisën të qarkullojnë edhe disa nga emrat e anëtarëve të kabinetit. Pjesa më e madhe e sekretarëve vijnë nga i ashtuquajturi kabineti “hije” në opozitë me anëtarë të përcaktuar për t’i bërë oponencë të specializuar anëtarëve të kabinetit të deritanishëm konservatorë.
Ndër të tjerë, në postin e sekretarit të Jashtëm është emëruar Dejvid Lami. Laburisti me origjinë nga Guajana është mbështetës i faktorit shqiptar dhe veçanërisht i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai ka vizituar Kosovën më 1 Nëntor 2022, ku e garantoi kryeministrin Albin Kurti se laburistët do të ndjekin linjën e ish-kryeministrit Tony Blair nga radhët e tyre, i cili ishte ndër promotorët kryesorë të pavarësisë së Kosovës.
Tv Klan