Fillimisht Balili nuk ishte i pranishëm në sallë, por duke qënë se avokatët kërkuan gjykim të shkurtuar, ai u soll pasi ligji e kërkon që të jetë i pranishëm. Po në këtë seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, gjykatësja Miliana Muça vendosi të kalojë për gjykim dosjen. Tashmë pritet që të hidhet shorti dhe të caktohet treshja e gjyqtarëve që do gjykojë dosjen.
Në këtë mënyrë, një nga personazhet më të diskutuar për më shumë se dy vite, brenda 10 ditëve është vetëdorëzuar, është njohur me masën e sigurisë dhe ka përfunduar në gjykatë si i pandehur. Nëse togat e zeza vendosin ta pranojnë gjykimin e shkurtuar, atëherë ai përfiton uljen e dënimit me 1/3 në rast dënimi. Balili, i etiketuar si “Eskobari i Ballkanit”, akuzohet nga prokuroria për 4 vepra penale; trafik droge, grup i strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Konkretisht Balili dyshohet se ka trafikuar nga Saranda në Greqi 670 kilogramë kanabis. Gjithashtu dyshohet se do të trafikonin një sasi kanabisi me anë të një kamioni i cili ishte ngarkuar me portokolle. Identifikimi i Kelmend Balilit, sipas prokurorisë është bërë nga përgjimet telefonike ku i janë interceptuar biseda me disa grekë dhe flisnin për trafikun e drogës. Në përgjime ai njihet me pseudonimin “Keli” dhe kishte në përdorim një numër grek.
Por këto akuza u mohuan nga Balili në seancën e një jave më parë, i cili sqaroi se nuk lidhje me to dhe është i pafajshëm.Të njëjtën gjë pretenduan edhe dy avokatët mbrojtës, të cilët thanë se nuk ka asnjë provë apo indicie që të vertetojë se 46-vjeçari ka qenë i perfshirë në trafikun e drogës. Kelmend Balili u vetëdorëzua pas 2 vite e 6 muajsh në arrati. Vetëdorezimi erdhi pas disa ditë negociatash mes familjarëve të Balilit dhe Policisë së Shtetit. Ministri Lleshaj e cilësoi operacionin e dorëzimit si të gjatë dhe të ndërlikuar.
Tv Klan