Trajneri Enzo Maresca paralajmëroi futbollistët që nuk bëjnë pjesë në ekipin e parë, se nëse nuk largohen nga Chelsea deri të premten, atëherë për ta nuk do të ketë asnjë minutë në dispozicion. Sulmuesi kuqezi Armando Broja, Rahem Sterling, Ben Chilwell dhe Trevoh Chalobah, janë ndër emrat e lojtarëve të cilët nuk bëjnë pjesë në projektin e teknikut italian.
“Preferoj që të jem i ndershëm me futbollistin. Ata që nuk janë të përfshirë, janë të gjithë lojtarë që nuk do të aktivizohen me ekipin dhe ata nuk do të aktivizohen për asnjë minutë nëse qëndrojnë këtu. Do të shikojmë kush rri e kush ikën. Por unë vendos vetëm ata që do të luajnë dhe ata të cilët nuk mund të na ndihmojnë. Nuk është vetëm Serling! Janë të gjithë lojtarët që në këtë moment po stërviten të ndarë. Në momentin që mbyllet dritarja e transferimeve, ata nuk do të kenë minutazh”.
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit është në një situatë të vështirë. Ai po kërkon një skuadër të re, ku të mund të aktivizohet normalisht. Klubi i sapongjitur në Premier Ligë, Ipswich Town kishte rënë dakord verbalisht për një marrëveshje me Chelsea.
Një nga kushtet e ‘bluve’ të Londrës ishte që skuadra e Kieran McKenna-s të nënshkruante me Brojën për 30 milionë paund në fund të sezonit, nëse do të arrinin të shmangin rënien nga kategoria. Por një problem fizik i evidentuar gjatë vizitës mjekësore, bllokoi marrëveshjen.
Por palët ende nuk janë tërhequr përfundimisht, edhe pse drejtuesit e Ipswich po shikojnë alternativa të tjera për sulmin. Broja ka vuajtur që të luajë rregullisht te blutë e Londrës që pas dëmtimit. Në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar, ai u huazua te Fulham, por edhe aty, 22-vjeçari luajti shumë pak.
Klan News