Policia e Tiranës ka vënë në pranga 38-vjeçaren kineze Na Dong e shpallur në kërkim pak ditë më parë për shfrytëzim prostitucioni. Ajo u kap në Rinas teksa përpiqej të largohej nga vendi.
“U ndalua shtetasja kineze Na Dong, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal”, njoftoi policia.
Së bashku me një kineze tjetër 52-vjeçare, të arrestuar më parë, ato dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy të arrestuarat me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana” ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave.
Dy kinezet i akomodonin vajzat në një ambient të marrë me qira pranë Prorkurorisë së Tiranës dhe i shfrytëzonin ato kundrejt tarifave 150-300 Euro.
Nga hetimet ka rezultuar se 38-vjeçarja e arrestuar sot i ka marrë shumën 15 mijë Euro nj prej vajzave të shfrytëzuara. Ndërkohë policia ka sekuestruar 4500 euro, laptop, aparate celulare, 2 pasaporta dhe 3 fletore me shënime si pasojë e operacionit “Red Light 2”./tvklan.al