Talo Çela, 49-vjeçari nga Bradasheshi i Elbasanit, rezulton sot të jetë personi më i kërkuar nga policia. I akuzuar për disa ngjarje, që nga grabitja e Rinasit e 9 Prillit të vitit 2019 dhe tek ngjarja e fundit, ajo e vrasjes së vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia më 27 Prill pranë tregut të automjeteve në Durrës, dhe shumë akuza të tjera, 49-vjeçari ka vendosur të rrëfehet në një intervistë ekskluzive. Nga arratia, Talo Çela rrëfen për emisionin “Uniko” të vërtetat e tij për gjithë këto ngjarje dhe implikimin e tij në gjithë këto ngjarje.
Por sa të vërteta janë akuzat që rëndojnë mbi të? Cilat janë provat që disa grupe hetimore të Elbasanit, Durrësit dhe Drejtorisë qëndrore të Policisë në Tiranë kanë për krimet që Talo Çela dyshohet se ka kryer? Përse 49-vjeçari po i fshihet drejtësisë? Çfarë e lidh atë me dy grabitjet e Rinasit, atë të vitit 2016 dhe atë të vitit 2019?
Çfarë e lidh atë me vrasjen e dy vëllezërve Haxhia pasditen e 27 Prillit në Durrës? A ka marrë pjesë ai drejtpërdrejt në këto vrasje? Po vrasja e dyfishtë e 2 Marsit të 2020 e Anxhelo Avdiës dhe Dorian Shkozës sërish në Durrës? Cila është lidhja e Talo Çelës në këto vrasje? A kanë ndodhur këto vrasje për paratë e grabitura në Rinas?
Gjithashtu, Talo Çela rrëfehet dhe për rolin e tij në ngjarjet e ndodhura në aksin Peqin – Elbasan nga Dhjetori 2018 deri në Dhjetor të vitit 2019, ku janë të paktën 5 viktima.
Ku fshihet? Kush po e ndihmon? Përse nuk dorëzohet në polici dhe shumë pikëpyetje të tjera do mundohemi t’i japim përgjigje sonte në orën 21:00 në emisionin “Uniko” në televizionin Klan Plus.