17 kompani të huaja kanë shprehur interes për pjesëmarrjen në tenderin që do të kryhet për ndërtimin e TEC-it të ri të Vlorës. Dita e sotme ka qenë afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve të parakualifikimit për pjesëmarrjen në tender dhe njoftimit të Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare i janë përgjigjur 17 kompani nga Evropa, Amerika dhe Azia.
“Jemi të kënaqur nga një kompeticion i tillë, sepse kjo është një bazë e rëndësishme për të garantuar, jo vetëm një projekt cilësor, por edhe një projekt me kosto shumë të ulët ose me fondet që disponojmë, shpresojmë që të realizojmë një projekt me kapacitet më të madh sesa ai që është planifikuar.”
Tri bankat kredituese, Banka Botërore, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve, brenda mesit të muajit shtator, pasi të bëhet vlerësimi i dokumentacionit nga komisioni i vlerësimit, do të japin miratimin e tyre për 17 kompanitë e parakualifikuara. Ofertat e kompanive pjesëmarrëse në këtë fazë të parë të tenderit do të prezantohen në fund të muajit shtator, ndërkohë që nënshkrimi i kontratës me fituesin parashikohet që të bëhet vetëm në shkurt të vitit të ardhshëm. Sipas drejtorit të investimeve në KESH, nëse gjithçka do të ecë sipas parashikimeve, ndërtimi i TEC-it të ri të Vlorës do të nisë në maj të vitit 2005 dhe mendohet të vihet në punë në vitin 2007. /tvklan.al