Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kompania shtetërore e naftës ARMO, të shesë me çmim të diferencuar më të ulët naftë për fermerët. Kjo është kërkesa e Këshillit të Agrobiznesit drejtuar qeverisë në kushtet e rritjes së çmimit të naftës në tregun vendas.
Agim Rrapaj: “Shteti të ndërhyjë dhe 10 mijë ton apo 9 mijë ton naftë që ARMO ka nxjerrë, për shitje, t’ia japë bujqësisë me çmim të diferencuar. Duke ia dhënë bujqësisë me çmim të diferencuar tashmë rezultati do të jetë shumë i shpejtë dhe nuk do të kemi atë pasojë që ne presim të kemi”.
Përdorimi i naftës nga mekanika në fushën e bujqësisë zë 40% të kostove të produkteve bujqësore dhe rritja e çmimit për naftën e importit dhe naftën e prodhuar në vend, rrezikon rëndë prodhimin vendas në kultin e sezonit.
Agim Rrapaj: “Në qoftë se do të vazhdojë të rritet nafta, kjo përqindje e punimeve të mekanizuara do të ulet akoma më shumë dhe kjo ka këto pasoja pastaj, pasoja e parë është që do të rritet çmimi se do rritet kostoja, është gjithmonë kostoja e produkteve që punohet me krah dhe kafshë pune është shumë e lartë sepse ka një rendiment të ulët dhe nuk ka atë efektivitet që kanë punimet e mekanizuara, kjo është e provuar”.
Nëse qeveria nuk ndërhyn, fermerët do të heqin dorë nga mekanika bujqësore dhe do të rrisin koston e prodhimeve, gjë e cila do të çojë në rritjen e çmimeve për produktet vendase./tvklan.al