Frenimi i migracionit të paligjshëm është një nga temat kryesore të diskutimeve mes liderve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian që këtë të enjte dhe të premten ndodhen në Bruksel si pjesë e Këshillit Europian.

Një prej zgjidhjeve më të përfolura që propozohen është ajo e Kryeministres italiane Giorgia Meloni, që ka shtruar për diskutim marrëveshjen me Shqipërinë, për përpunimin e kërkesave të azilit.

Liderët e BE-së duken të ndarë për këtë propozim. Mbështetje veç presidentes së Komisionit Europian e cila e konsideroi atë shembull suksesi, Meloni ka gjetur edhe tek vende si Austria e Lituania.

“Qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian duhet t’i tregojmë edhe se jemi në gjendje të mendojmë jashtë kornizave dhe për të krijuar mundësi të reja siç po bën edhe Italia me qendrat e përpunimit në Shqipëri”, është shprehur Kancelari i Austrisë.

Interes për këtë zgjidhje shprehu edhe Kryeministri i Holandës Dik Schoof, të cilit Meloni ia prezantoi në një takim edhe me liderë të tjerë europianë në Bruksel para samitit. Ndërsa për Kancelarin gjerman Olaf Scholz, qendrat e përpunimit të kërkesave të azilit jashtë kufijve të unionit nuk janë zgjidhje për vendin e tij.

“1 mijë këtu, 2 mijë atje nuk janë zgjidhje, kur kërkon të ulësh një shifër si 300 mijë. Ia kemi dalë brenda vendit tonë të reduktojmë me 50% kërkesat e azilit”, tha ai.

Ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shprehu rezerva për këtë model, ndërsa tha se do të priste të shihte se si do të funksiononte marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë.

Tv Klan