Qeveria italiane është mbledhur mbrëmjen e sotme për miratimin e një dekreti të ri urgjent që synon të heqë pengesat në zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët e jashtëligjshëm.

Kryeministrja Giorgia Meloni ka në plan të ndryshojë ligjin që përcakton se cilat shtete konsiderohen si vende të sigurtë origjine, qytetarët e të cilëve nuk duhet të përfitojnë azil në Itali. Nisma vjen pas vendimit të seksionit të migracionit.

Në Gjykatën e Romës, që urdhëroi kthimin urgjent në Itali të 12 emigrantëve të shpëtuar në ujërat e Mesdheut më herët gjatë kësaj jave, pasi vinin nga vende jo të sigurta origjine, bazuar në vendim të mëparshëm të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Para mbledhjes, Meloni shprehu përmes një postimi në Facebook, vendosmërinë për të mbrojtur kufijtë e Italisë dhe për rivënë në zbatim parimin thelbësor, se në këtë vend hyet vetëm në mënyrë të ligjshme.

Ndërkaq, partia opozitare Lëvizja 5 Yjet paditi në Gjykatën e Auditit në Romë marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë. Në padi thuhet se kostot e dërgimit në Shqipëri vetëm 16 emigrantëve i kushtojnë buxhetit italian deri 290 mijë Euro, shpenzime sipas 5 Yjeve tejet të ekzagjeruara.

Pas vendimit të Gjykatës së Romës, Komisioni Europian tha se marrëveshja Shqipëri – Itali duhet të marrë për bazë edhe ligjet europiane, përderisa secili shtet anëtar i unionit funksionon me listat e veta të vendeve të sigurta të origjinës.

“Marrëveshja Shqipëri – Itali bazohet tek ligjet vendase, por po ashtu edhe standarde të parashikuara nga ligjet europiane. Ne e kemi thënë që të gjitha masat që po ndërmerr Italia duhet të jenë në përputhje të plotë dhe të mos anashkalojnë ligjet e BE-së”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian për Migracionin, Anitta Hipper.

Komisioni pritet të nisë së shpejti punën për hartimin e një liste të përbashkët dhe të vetme të vendeve të sigurta të origjinës së azilkërkuesve.

Tv Klan