Këshilli i Rregullores dhe i Imuniteteve është mbledhur me dyert të mbyllura për të marrë në shqyrtim të ashtuquajturën dosjen Mediu të depozituar nga prokuroria ku kërkohet heqja e imunitetit të ish-ministrit të mbrojtjes. Po thuajse se të gjithë anëtarët e këshillit pavarësisht nga ngjyrat politike e kanë cilësuar dosjen mbi 600 faqe të organit të akuzës të fryrë dhe jo të bazuar mbi akuza konkrete.
Arjan Madhi: “Ky dokumentacion vetëm në një pjesë të tij përmban akte dhe dokumente që lidhen vetëm me veprimtarinë e ish-ministrit të mbrojtjes zoti Fatmir Mediu. Në këtë dokumentacion shoqërues nuk përfshihen dhe akte e dokumenta të strukturave të tjera të kësaj ministrie që lidhen me procesin në hetim nga prokuroria. Pjesa tjetër e dokumentacionit të paraqitur përmban, fotokopje të ligjeve dhe akteve nënligjore si dhe relacione projektligjesh dhe vendimesh”.
Ilir Bano: “Me atë vështrim të shpejt që ai i bën materialit, nuk kishte asnjë gjë të panjohur deri më tani”.
Besnik Dervishi: “Ne një sy të shpejtë i hodhëm. Po nuk asnjë gjë super të fshehtë, asnjë gjë super konfidenciale, janë thjeshtë materiale të administruara që janë bërë mjaft të njohura publikut nga media elektorinike dhe nga media e shkruar”.
Anëtarët janë të mendimit se pretendimet e prokurorisë për ta cilësuar si sekrete dosjen e depozituar në kuvend janë absurde.
Besnik Dervishi: “Ka një nen që është neni 103 i kodit procedurës penale, por unë mendoj që nuk vlen për deputetët sepse ne në fund të fundit zhvillojmë një aktivitet politik dhe në qoftë se deputetet kanë imunitet e kanë pikërisht për t’u shprehur politikisht për atë mandat që kanë marrë”.
Petro Koçi: “Kjo është loja e prokurorisë, pra ngritja e gjithë kësaj fushate për të ruajtur sekretin, më duket jo serioze për procesin dhe sidomos për parlamentin. Kuptohet që parlamentarë dhe stafet këtu e kanë shumë të qartë që duhet të respektojnë ligjin përsa i përket një çështjeje që është akoma nën hetim”.
Këshilli i Rregullores dhe i Imuniteteve do të mblidhet sërish për të dëgjuar variantin e ish-ministrit të mbrojtjes Mediu dhe për të vendosur më pas fatin e imunitetit të tij./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka