Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Vazhdon dislokimi i forcave ndërkombetare të paqes në Kosovë. Në qytetin e Pejës është vendosur pararoja e kontigjentit italian të KFOR. Italia me 5 mijë trupa do të kontrollojë njërin nga pesë sektorët e Kosovës. Në Kosovën Lindore janë duke depërtuar marinsat amerikanë për tu vendosur në pozicionet e tyre.

Trupat ndërkombëtare të paqes kudo në rrugët dhe qytetet e Kosovës po priten me gëzim, lule e brohoritje si çlirimtar. Incidentet e ndodhura dy ditët e fundit nuk kanë ndikuar në dinamikën e vendosjes së trupave të KFOR-it. Por gjithashtu bëhet thirrje për kujdes nga vendosjet e minave.

Sot në mëngjes në afërsi të Suharekës u gjet i vdekur gazetari gjerman Gruner i ZDF2. Burime nga komanda gjermane bëjnë të ditur se ky është gazetari i tretë gjerman i vrarë gjatë dy ditëve të fundit. Dy gazetarët e tjerë janë vrarë afër Shtinës. Në Prishtinë dje është vrarë një paramilitar serb në përpjekje për të provokuar forcat britanike.

Pjesa më e madhe e banorëve serbë të Prishtinës po largohen bashkë me forcat ushtarake. Në Serbi ose në Mal të Zi janë larguar rreth 14 mijë veta. Nga Beogradi bëhet e ditur se Partia Radikale e Ultranacionalistit Sheshel ka marrë vendim që të largohet nga Qeveria e Serbisë.

Ushtarët gjermano-britanikë kanë zbuluar një varrezë masive në rrethinat e Kaçanikut, ku ndodhen 85 kufoma. Çështja i është paraqitur Gjykatës së Hagës. Komandanti i KFOR në Kosovë, Majk Xhekson vendosi sot selinë e tij në Jug të Prishtinës. Aeroporti i Prishtinës në fillim u mendua të merret nga KFOR por më pas është marrë nga rusët.

Ministri i Jashtëm Britanik Kuk tha se nuk na duhet Aeroporti i Prishtinës. Për statusin e forcave ruse në Kosovë sot do të zhvillohet një bisedë e Presidentëve Jelcin dhe Klinton./tvklan.al