Pas sanksioneve të reja të vendosura ndaj Koresë së Veriut, diktatori Kim Jong Un ka kërcënuar personalisht Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Përmes një deklarate për mediat të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve koreano-veriore, Kim Jong thotë se deklaratat e Trump e kanë bindur më shumë që të zhvillojë programin bërthamor.  Kim tha se Presidenti Trump “do ta paguajë shtrenjtë” fjalimin e fundit në OKB.

Në Asamblenë e para dy ditëve, Trump deklaroi se do ta shkatërrojë tërësisht Korenë e Veriut nëse paraqet rrezik për SHBA-në dhe vendet aleate. Presidenti amerikan gjithashtu është tallur me diktatorin e Koresë së Veriut, duke e quajtur “njeriu raketë”.

“Vërejtjet e z.Trump më kanë bindur, dhe jo frikësuar, se rruga që kam zgjedhur është e duhura dhe duhet ta ndjek deri në fund. Tani që Trump më ka fyer mua dhe vendin tim para syve të gjithë botës dhe bëri deklaratën më të egër për luftë në histori, Koreja e Veriut do të marrë në konsideratë nivelin më të lartë të linjës për t’u kundërpërgjigjur për ta bërë z.Trump të paguajë shtrenjtë për fjalimin e tij”

, thuhet në deklaratën e liderit koreano-verior Kim Jong Un.

Analistët thonë se kjo është hera e parë që Kim Jong ka bërë një deklaratë për mediat të adresuar ndaj dikujt.

/tvklan.al