Samiti mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong-un rrezikon të dështojë. Peniani paralajmëroi tërheqjen nga bisedimet e paqes me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, nëse të dyja vendet nuk heqin dorë nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake që vijojnë aktualisht, prej të cilave Koreja e Veriut ndihet e kërcënuar. Po ashtu regjimi i Kim Jong-un thotë se kurrë nuk do të bashkëpunojë ekonomikisht me Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni i vendos si kusht të padiskutueshëm Penianit, heqjen dorë nga programi bërthamor.
Peniani anuloi edhe raundin e të mërkurës të bisedimeve të paqes me Seulin, prej stërvitjeve ushtarake SHBA – Kore e Jugut. Por zëdhënësja e departamentit amerikan të shtetit Hedhër Nauert tha se bëhet fjalë për stërvitje rutinë të planifikuara kohë më parë, që nuk kanë lidhje me Korenë e Veriut. Ajo tha gjithashtu se Uashingtoni po vijon me përgatitjet për takimin mes Donald Trumpit dhe Kim Jong-un i planifikuar për më 12 qershor.
Samiti u konfirmua pasi Peniani vendosi pezullimin e aktiviteteve bërthamore. Më 27 prill Kim Jong-un u takua me presidentin e jugut Mun Xhae-in, duke i dhënë start procesit të paqes dhe riunifikimit pas më shumë se 6 dekadash armiqësi.
Tv Klan