Një gjykatë në Kinë ka dënuar një tjetër shtetas kanadez me vdekje për prodhim të paligjshëm të drogave. Mediat njoftuan se Ye Jianhui u dënua të premten, një ditë pasi gjykata dënoi Xu Weihong. Ata janë kanadezët e tretë dhe të katërt që dënohen me vdekje nga Kina kohët e fundit.
Kjo pasi marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar pas arrestimit që iu bë një zyrtari të lartë të Huawei-t në Vancouver në 2018-n. Meng Wanzhou u ndalua pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo zemëroi rëndë Kinën duke ftohur marrëdhëniet me dy vendet. Sa i përket rastit të fundit, mediat nuk bëjnë publike shumë detaje. Megjithatë ato shkruajnë se kanadezi dhe 5 persona të tjerë, të gjithë kinezë, posedonin në apartamentin e tyre një sasi prej 218 kilogramësh ekstazie.
Vetëm një prej 5 personave të tjerë u dënua me vdekje ndërsa pjesa tjetër me burg që varion nga 7 vjet deri me dënim të përjetshëm. Të enjten një tjetër kanadez u shpall fajtor për prodhimin e ketaminës.
Zëdhënësit e Ministrisë së Jashtme kineze kanë deklaruar se këto arrestime nuk kanë lidhje me marrëdhëniet Kinë-Kanada. /tvklan.al