“Do të flasim shqip. Vetëm në Klan”. Kjo është fjalia që kemi dëgjuar nga aktori i njohur turk, Kivanç Tatlitug në promon e serialit më të ri në Tv Klan, “Familja”. Ky është seriali i parë turk që dublohet në gjuhën shqipe dhe po, aktorin aq shumë të dashur do ta dëgjojmë të flasë shqip për episode të tëra!
Drejtori i programacionit të Tv Klan, Albert Dumani u gjend në studion e “Rudinës” për të rrëfyer më shumë detaje rreth kësaj risie dhe idesë ambicioze, e njëherësh të bukur.
Albert Dumani: Kishte kohë që e mendonim, të gjitha shtetet pothuajse japin, transmetojnë filmat, seriole në gjuhën kombëtare, në gjuhën përkatëse të çdo shteti. Unë kam qenë partizani që në origjinal të vjen emocioni më i drejtpërdrejtë, ti e përthith më shumë atë që thotë aktori, por duke parë Argjentina, Spanja, Italia kryesisht që çdo transmetim e ka në gjuhën italiane, kështu që pse ne mos të provojmë të japim një serial nga fillimi deri në fund në gjuhën shqipe. Është e vështirë, është i vështirë përkthimi, përshtatja nga turqishtja në gjuhën shqipe, ato kanë shprehje të ndryshme frazeologjike, duhet të përshtasësh, duhet bërë edhe përputhja e gojës, pra është një ekip shumë i madh i cili po punon, ka disa muaj për ta sjellë sa më afër origjinalit, në mënyrë sa më profesionale që i gjithë emocioni të përthithet dhe të vijë ashtu siç aktorët e kanë interpretuar në gjuhën e tyre./tvklan.al