Këshilli Kombëtar i Territorit në mbledhjen e parë që nga nisja e punës së qeverisë së re, miratoi 17 vendime, mes të cilëve aprovoi lejen e ndërtimit për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës, atë për centralin fotovoltaik të Qyrsaqit, si dhe lejen për ndërtimin e Portit të Jahteve ‘Marina Rodon’.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës dhe lidhja e re me Rinasin do të zbatohet nga kompania “INC spa”, e cila u shpall fituese një vit më parë ndërkohë që autoriteti kontraktor mbetet Hekurudha Shqiptare. Kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare.

Autoriteti publik që ka aplikuar për ndërtimin e  centralit fotovoltaik në digën e Qyrsaqit në Kaskadën e Drinit, është Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Porti i jahteve “Marina Rodon” është parashikuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit të Rodonit. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është 35 vjet, bashkimi i operatorëve  që është shpallur fitues  do të investojnë 883 milionë lekë për këtë port.

Klan News