Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ndodh edhe kështu, që një tren pasagjerësh me mbi 20 vagonë të ndalojë, për hir të trafikut të rënduar rrugor. Ka raste që detyrohet të marrë përpara çka gjen. Ky është një rast që mund të kishte përfunduar me viktima, nëse makinisti s’do të ishte sinjalizuar e frenuar 200 metra përpara postbllokut.

Policia ndërtimore e kryeqytetit pritet të nisë aksionin në ndërtime apo dhe pengesa buzë hekurudhave. Mure rrethues, mbikalime të improvizuara nga banorët e këtyre zonave, janë bërë shqetësuese e rrezikojnë shumë. Pas rasteve të shtuara të aksidenteve, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave i është drejtuar për ndërhyrje policisë ndërtimore.

“Janë bërë procesverbalet, pas këtyre procesverbaleve do të zbatohen procedurat e tjera ligjore, duke lënë edhe vendimet për prishjen e këtyre mbikalimeve, që kryesisht janë shtrime me inerte, ose me asfalt, ndërsa muret rrethues që janë bërë problematik, sidomos incidentet që kanë ndodhur deri tani”.

Specialistë të policisë ndërtimore pas verifikimeve shprehen, se janë ngritur me rërë e zhavorr këto mbikalime për automjete e këmbësorë, të cilët ende se ndjejnë rrezikun e të udhëtuarit mbi shina. Aksioni do të nis nga Qarku i Tiranës, e pritet të vazhdojë në të gjithë hekurudhën shqiptare./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti