Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, kishte ankesa për stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnjë, ku është vendosur të luhet “Klasikja” me Vllazninë.
Shkëmbi deklaroi se kjo situatë nuk është normale dhe duhet respekt për qytetin e klubin.
Sipas tij, po shkohet në një fushë, ku nuk e dinë çfarë i pret, ndërsa shtoi se janë të detyruar të luajnë aty ku i dërgojnë.
“Ndeshja më e rëndësishme, nuk është normale që të luhet në një fushë si ajo e Lushnjës. Qyteti dhe klubi meritojnë respekt. Ne kemi luajtur miqësore atje para disa muajsh dhe e dimë si janë kushtet. Unë dhe lojtarët jemi të detyruar të luajmë futboll aty ku na çojnë. Na vjen keq, sepse kemi pasur tre ndeshje brenda dhe asnjë nuk e kemi luajtur në fushë.
Çdo javë jemi me çantën për të gjetur stadium ku do të luajmë. Nuk është justifikim, por nuk është normale që dy ditë para të marrim vesh ku do të luajmë. Në çdo ndeshje e kemi detyrim fitoren. Do bëjmë maksimumin dhe jam i bindur për këtë. Shkojmë në një fushë, ku nuk e dimë çarë na pret. Nuk jemi Reali apo Barcelona, që të luajmë futbollin e bukur, por mundohemi të bëjmë një lojë të mirë.”, deklaroi Shkëmbi.
Sfida Tirana-Vllaznia do të luhet në Lushnjë, të mërkurën në orën 14:00. /tvklan.al