Vllaznia triumfoi ndaj Tiranës me rezultatin 4-3, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në Superiore.

“Klasikja” prodhoi plot shtatë gola të shënuar, por në fund ishin shkodranët ata që festuan.

Kuqeblutë ishin dominues në pjesën e parë, ku shënuan tre herë, me dopietë të Balajt dhe një supergol të Malës.

Fraksioni i dytë foli më shumë për Tiranën që shënoi tre herë, me Ndrecën dhe një dopietë të Bajrovic, por goli i Grudës në minutën e 66-të, rezultoi vendimtar për Vllazninë, për të marrë fitoren.

Vlen të përmendet edhe një episod i minutës së 67-të, ku gjatë festës së golit të katërt për shkodranët, mbetën tre lojtarë të dëmtuar.

Shkak për këtë u bë hedhja e një lënde plasëse në fushë. Mala u transportua në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Për këtë rast, ndeshja u ndërpre 13 minuta.

Ky sukses e ngjit Vllazninë përkohësisht në vendin e parë me 18 pikë, 1 më shumë se Partizani i vendit të dytë, por kryeqytetasit kanë një ndeshje për të luajtur.

Gjithçka bëhet më e vështirë për Tiranën, që mban vendin e shtatë me 11 pikë. /tvklan.al