Klodian Branko: “Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bazë të planit të masave ka bërë sot shpërndarjen e plotë të punonjësve të policisë që do të merren me sigurinë e procesit zgjedhor më datën 28 Qershor. Aktualisht janë përfshirë në shërbim rreth 5500 punonjës policie, të cilët janë paraqitur pranë KZAZ-ve dhe qendrave të votimit ku një pjesë e tyre ka marrë nën dorëzim qendrat e votimit. Ky proces ka vazhduar pa probleme, përveç rastit te ndodhur në Qerret, Pukë, ku aksidentalisht janë djegur disa materiale zgjedhore. Ekspertët e policisë nën drejtimin e prokurorit të Pukës janë duke kryer veprimet hetimore. Për të garantuar një mbarëvajtje të rregullt zgjedhor Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët të denoncojnë në numrat e telefonit 129 dhe 126 rastet kur konstatohen shkelje të rënda të procesit sikur kryhen nga qytetarët, ashtu edhe nga punonjësit e policisë. Policia e Shtetit siguron qytetarët dhe opinionin publik se është e vendosur të sigurojë një proces normal votimi në përmbushje të detyrave të saj ligjore”./tvklan.al