Jemi në prag të pushimeve verore dhe deti është destinacioni më i frekuentuar nga të gjithë. Por krahas vendit se ku do të kalojmë pushimet, fillojnë dhe shqetësimet për fizikun.
Dikush mund të ketë menduar me kohë, po ka nga ata që rutina e përditshme nuk i le shumë hapësirë për t’u kujdesur për veten. Por përveç kësaj, ndonjëherë jo të gjithë kanë mundësi të frekuentojnë palestrën për të arritur rezultatet që duan. Ish-atletja Klodiana Shala e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan demonstroi disa ushtrime me topin e pilatesit edhe me gira, të cilat mund t’i improvizoni në një kënd të shtëpisë tuaj.
“Është shumë e rëndësishme të dimë çfarë ushtrimesh do të bëjmë për të pasur një muskul të gjatë dhe të bukur. Ushtrimet me topin e pilatesit aktivizojnë punën e muskujve të shpinës dhe të barkut. Nxisin shkrirjen e kalorive dhe është mirë të bëhen me cikle, 3 herë nga 12. Për ushtrimet fizike është me rëndësi madhësia e topit, sepse kur uleni në të, ijet dhe gjunjët duhet të jenë në shkallën prej 90 gradësh. Do iu tregoj edhe diçka tjetër, nuk është e thënë të bëjmë ushtrime vetëm me pesha, muskujt që ne formojmë me peshën e trupit janë më efikase. Duke bërë ushtrime të paktën 20 minuta në shtëpi do të ndihemi shumë mirë. Pas ushtrimeve është shumë e rëndësishme të bëjmë streçing në mënyrë që të relaksojmë muskujt”, tha Shala./tvklan.al