Jurgen Klopp mendon se Kupa e re të Botës për Klube është një humbje kohe.

Ish-trajneri i Liverpulit e bëri deklaratën e tij gjatë daljes së parë zyrtare si Shefi i Futbollit Global i Red Bull, detyrë që ai mori në Tetor 2024 pas një periudhe të suksesshme 9-vjeçare te “të kuqtë”.

Red Bull Salzburg, një ndër klubet nën mbikqyrjen e 57-vjeçarit do të marrë pjesë në këtë event.

Klopp gjithashtu vazhdon që të jetë i mendimit se lojtarët në kampionatet elitare të futbollit janë mbingarkuar.

“E di që Salzburgu do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, por a duhet të them se e dua kompeticionin? Ende nuk e dua! Mendoj se është i pavlerë! Kushdo që e fiton turneun është fituesi më i varfër i të gjitha kohërave, sepse duhet të luajë gjithë verën dhe më pas nis kampionati përsëri. Kemi shumë dëmtime në futbollin evropian e duhet të vijë një moment ku duhet të ulim numrin e takimeve”.

Klopp iu bashkua Liverpulit në Tetor të 2015-ës dhe fitoi Ligën e Kampionëve, Premier League, Kupën e Botës për Klube, Kupën FA dhe dy Kupa të Ligës.

Në detyrën e tij të re, Klopp nuk do të përfshihet në operacionet e përditshme të klubeve në pronësi të Red Bull në Gjermani, Shtetet e Bashkuara, Brazil, Japoni dhe Austri, por do të veprojë si këshilltar duke mbikqyruar punën e zbuluesve të talenteve dhe duke kontribuuar në trajnimin dhe zhvillimin e trajnerëve.

Klan News