Prokuroria e Tiranës me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme ka nisur procedim penal dhe së shpejti mund të marrë edhe të pandehur për shkeljet financiare në drejtoritë e disa institucioneve të denoncuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas raprotit të këtij të fundit, Drejtoria Juridike e Ministrisë së Arsimit është në hetim dhe janë marrë në pyetje disa punonjës së saj. Abuzimet nëpërmjet tenderave shpërblimeve etj., arrijnë në shifrën e rreth 600 mln lekëve.
Procedim penal është regjistruar për ALBtelecom-in lidhur me dy konktratat e nënshkruara në shoqërinë e sigurimeve INSIG. Përshpjetimi i këtyre hetimeve është kërkuar edhe në mbledhjen e një dite më parë ku kryeprokurori Theodhori Sollaku u kërkoi prokurorëve të krimit ekonomik të zbardhin sa më shpejt, veç këtyre dosjeve, dhe atë që ka të bëjë me vjedhjen e Bankës së Kursimeve të rreth 480 mln lekëve. Dosjet do t’u nënshtrohen, sipas Prokurorisë, ekspertimit ekonomiko-financiar.
Sipas raportit të fundit të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vendin e parë për abuzime financiare në tendera e zë Ministria e Arsimit me më shumë se 600 mln, më pas vjen Ministria e Drejtësisë dhe ALBtelecom-i me rreth 13 mln lek të reja si dhe Drejtoria e Shërbimit Diplomatik, Ndërmarrja e Librit Shkollor etj. /tvklan.al