Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Fatura e abuzimeve të administratës publike me paratë e shtetit për 6 muajt e parë të vitit është 3 miliardë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se abuzimet më të mëdha gjatë 6 mujorit, administrata publike i ka kryer me shpërblimet.

Sipas rezultateve më të fundit të këtij institucioni, afro 345 milion lekë janë dëmi financiar i kryer për shkak të shpërblimeve të pamotivuara. Ndërkohë që tatim-taksat dhe doganat ende vazhdojnë të mbeten administratat me shkeljet më të rënda në buxhetin e shtetit.

Prokurimet publike dhe qiratë shtetërore vazhdojnë të përbëjnë pjesë të rëndësishme të abuzimeve të administratës publike. Shkeljet vazhdojnë të jenë prezentë, kryesisht në shpenzimet operative për administratën, por fluksi është në rënie për shkak të shkurtimit të buxhetit për këto lloj shpenzimesh.

Ministria e Financave po tenton të vërë nën kontroll të paktën shpenzimet për makinat dhe telefona për administratën publike. Kreu i KLSH Mustafa Kërçuku në fund të mandatit të tij, apelon që kandidatura e re në krye të institucionit që kontrollon shkeljet financiare të shtetit të mos jetë person politik./tvklan.al