Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon skandalin e dhurimit të lulishtes në Gjirokastër nga ana e bashkisë një qytetari me dokumente pronësie false. Kontrolli i Shtetit e ka denoncuar këtë çështje në prokurori, e cila ka nisur hetimet e mëtejshme për falsifikim të dokumenteve. Gjirokastra ka pasur 260 mijë metra katror sipërfaqe të gjelbër para viteve 90. Aktualisht nuk ka asnjë metër sipërfaqe të gjelbëruar.
Dhënia pa kriter e shesheve të ndërtimit, si dhe kthim i pronës private, ka kthyer Gjirokastrën në një qytet ku mungojnë mjediset çlodhëse. Bashkia e Gjirokastrës kërkon jo vetëm kthimin e ambienteve në pronësi të saj, por edhe qiranë e këtyre viteve.
Flamur Bime: “Unë jam njohur kohët e fundit, jam njohur nga një kontroll që ka bërë KLSH dhe që ka konstatuar që sipërfaqja prej 6200 metra katror i këndit të lojërave është marrë në mënyrë të padrejtë nga një qytetar i qytetit tonë. Kjo çështje është duke u hetuar nga prokuroria e rrethit dhe është duke u gjykuar nga gjykata. Bashkia do të ngrejë menjëherë padinë civile, për të marrë qiranë e munguar gjatë këtyre tre vjetëve dhe njëkohësisht për t’u rikthyer pranë bashkisë kjo sipërfaqe, për t’u vënë në nj funksion, sepse është një pozicion shumë i mirë dhe i mundshëm, për t’u vënë në dispozicion të fëmijëve jo vetëm me një kënd lojërash, por dhe me një park të gjelbëruar”./tvklan.al