Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kompania e telefonisë celulare në Shqipëri AMC, do të sponsorizojë për një vit, klubin e futbollit Partizani. Në ambientet e hotel Rogner, drejtori i përgjithshëm i AMC, zoti Oktapodas dhe presidenti i klubit Partizani, zoti Xhani, kanë nënshkruar marrëveshjen që lidh këto dy shoqëri së bashku për një vit. Kontrata e firmosur sot është më e madhja e bërë nga një skuadër shqiptare.

Presidenti i AMC:- “Zgjodha Partizanin pasi ajo nuk është thjeshtë vetëm një skuadër futbolli, e cila merr pjesë në kampionatin shqiptar me rezultate të mira, por pamë organizimin që kanë si klub. Këtë e kemi vlerësuar shumë, se siç e shikoni, nuk kemi zgjedhur ekipin kampion të Shqipërisë, por zgjodhëm një skuadër të madhe dhe shumë të fortë, e cila ka mjaft seriozitet në punën e saj”.

Albert Xhani:- “Bashkëpunimi me AMC është një mbështetje jo vetëm financiare,por dhe një mbështetje e madhe morale, kështu që ata na kanë vlerësuar dhe ne njëkohësisht i vlerësojmë dhe shpresojë që në të ardhmen, ky bashkëpunim ta rrisin në rezultate sa më të mira”.

Ndonëse kontrata midis AMC dhe Partizanit është firmosur për një vit, duket se bashkëpunimi midis tyre do të jetë afatgjatë. Lëvizja e fundit e klubit Partizani tregon se ai do të mbetet klubi që sjell gjithmonë diçka të re dhe perëndimore në futbollin shqiptar./tvklan.al