Në një analizë të prioriteteve të koalicionit qeverisës Berisha-Meta, agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Welle vlerëson se integrimi evropian mbetet ylli polar për qeverinë e re të pas zgjedhjeve dhe filli më i fortë që lidh LSI-në dhe PD-në.

Heqja e vizave me BE brenda vitit 2010 dhe ndërtimi i një infrastrukture të standardeve evropiane janë prioritetet kryesore në programin e koalicionit te ri qeverisës Berisha-Meta.  Duke cituar kryeministrin Berisha , Deutsche Welle thotë se 4 vitet e mandatit të dytë qeverisës do të jenë më produktivet në të gjithë karrierën e tij 20 vjeçare politike, që arriti suksesin gjatë viteve 2005-2009.

Disa prej arritjeve në mandati e parë janë hyrja në fuqi e MSA mes Shqipërisë dhe BE, aplikimi i për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në prill 2009.

 Në krye të agjendës së koalicionit Berisha-Meta thotë Deutsche Welle, është pajisja qytetarëve me pasaporta biometrike, si kushti numër një  për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe BE për t’u ndjekur më pas nga ngritja e një infrastrukture të standardeve evropiane.

Në emër të së ardhmes evropiane vlerëson Deutsche Welle Berisha i ka shtrirë dorën edhe opozitës socialiste për të shndërruar këtë qeverisje në më efikasen  e më transparenten në historinë e vendit.

Veç sfidës së bashkëpunimit me opozitën qëndron edhe sfida e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit. Antikorrupsioni ishte kali i betejës që solli në pushtet Berishën, në verën e vitit 2005, pas tetë vitesh opozitë dhe tani Berisha shfaqet sërish i vendosur të luftojë korrupsionin dhe të bashkëpunojë në qeverisje Ilir Metën.

“Raporti im me të nesërmen, është shumë herë më i fuqishëm sesa me të djeshmen,” – thotë kryeministri Berisha për Deutsche Welle. Kjo filozofi pritet të jetë udhërrëfyese edhe në formimin e kabinetit të ri qeveritar./tvklan.al