Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pas padisë së depozituar në Gjykatën e Tiranës nga shoqëri Albania Bag kundër presidentit të 2K Group Koço Kokëdhima, ka reaguar ky i fundit. Kokëdhima është shprehur i gatshëm të përballet në gjykatë me Albania Bag, që e akuzon atë për shpije, duke kërkuar si dëmshpërblim 5 milion euro.
Koço Kokëdhima: “Kjo padi është pjesë e gjithë tërësisë së masave represive, të masave shtrënguese dhe presioneve që qeveria ka organizuar kundër nesh. Ajo nuk është e veçuar as nga presioni që bëhet aktualisht, për shpronësimin tim nga mediat e shkruara në parlament. Ajo nuk është e veçuar as nga presioni që bëhet në të gjithë kontratat tona, të ndërmarrjeve tona, as nga presioni dhe akuzat krejt të pabaza që bën Poçi në Murriqan, apo mjaft presione të tjera që nuk zhvillohen në sytë e publikut, por zhvillohen pas kuintave dhe që ne nuk kemi pasur mundësi, por as nevojë që t’i bëjmë publike. Do të ballafaqohem me kënaqësi, në çdo gjykatë, përpara çdo arbitri, dhe do të vazhdojë të argumentojë, se sa e shenjtë ka qenë ajo që bënë shqiptarët përballë këtij rreziku, të invadimit nga plehrat e huaja”.
Por konflikti që ka lindur mes qeverisë dhe jo vetëm zotit Kokëdhima, por edhe lëvizjes Mjaft dhe disa institucioneve të tjera, do të nxisë të tjera procese gjyqësore, ku paditës do të jetë botuesi i gazetës “Shekulli”.
Koço Kokëdhima: “Natyrisht që unë kundër shoqërisë së huaj nuk kam arsye që të bëjë ndonjë padi, por kam nisur dy padi kundër qeverisë”./tvklan.al