Nishani-intervista-KlanMinistria e Mbrojtjes e ka vënë në dijeni vetëm dy ditë më parë Presidentin e Republikës se përfaqesuesit të Shqipërisë në NATO, kundëradmiral Kristaq Gervenit, i mbaron mandati në fund të marsit. Lajmi u bë i ditur nga vetë presidenti Nishani gjatë një interviste në emisionin Top Story.

Siç thotë presidenti, vetëm tani procesi ka hyrë në rrugën normale, ndryshe nga sa tha ministrja Kodheli 3 ditë më pare, se këtë kërkesë që presidenti thotë se e ka marre dje, e kishte nisur prej disa ditësh.

Shkresa e ministres mban datën 7 mars. Por presidenca sqaroi zyrtarisht se përmbajtja e saj ishte krejt tjetër nga çfarë deklaroi ministrja publikisht; pra, nuk vihej në dijeni kreu i shtetit për mbarimin e mandatit të kundëradmiral Kristaq Gervenit, por i kërkohej shkarkimi i kundëradmiralit nga detyra dhe kthimi në atdhe.

Një kopje e kësaj shkrese i kishte mbërritur edhe kundëradmiral Gervenit në Bruksel dhe në bazë të saj ai ngriti një padi në gjykatën administrative. Vetë gjykata në vendimin e saj, që e pezulloi urdhërin e Ministres, shprehet se kundëradmiralit i është kërkuar dorëzimi i detyrës dhe kthimi në atdhe.

Të paktën ky vendim gjykate, i marrë pasi ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin, përfshirë edhe shkresën e ministres, vërteton se zonja Kodheli nuk tha të vertetën mbi përmbajtjen e shkresës kur u pyet nga mediat. Ndërsa ndryshimi i kërkesës, siç thotë presidenti është prove se ministrja kishte vepruar në kundërshtim me kushtetutën kur kërkoi dorëzimin e detyrës nga kundëradmiral Gerveni, duke shkelur kompetencat e presidentit. Ndonëse ministrja e mohoi një gjë të tillë.

Tërheqja e Ministres Kodheli nga kërkesa e mëparshme, nxjerr gjithashtu të pajustifikuar edhe veprimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i cili, me anë të një deklaratë u shpreh se urdhëri administrativ i ministres për shkarkimin e kundëradmiralit nuk i shkelte kompetencat e presidentit. Përfshirja e Shtabit të Përgjithshëm në debatin politik Presidencë – Ministri e Mbrojtjes, u konsiderua nga presidenca si një akt i paprecedent, si propagandë si akt i pastër i njëanshmërisë politike.

Presidenti, foli edhe për një çështje tjetër të nxehtë të ditës, atë të marrëdhënieve të qeverisë me Shërbimin Informativ Shtetëror, duke thënë se drejtori i këtij shërbimi e ka informuar se e ka furnizuar Ministrinë e Brendshme vazhdimisht në lidhje me shpërthimet me tritol.