PS dhe PD dështuan të bëjnë një reformë të vërtetë zgjedhore duke përfshirë në ligjin elektoral dhe rekomandimet e OSBE-ODIR, por sot palët kanë dhënë shpresë se në seancën e fundit të këtij sesioni kanë gjetur dakordësinë për të adresuar 2 vendimet e Gjykatës Kushtetuese: Atë që mundëson votën e emigrantëve, si dhe çështjen e herësit.
Grupi i dialogut është rikthyer dhe kanë diskutuar lidhur me propozimet e depozituara nga opozita 2 ditë më parë. Sa i takon çështjes së votës së emigrantëve kanë dakordësuar që të votojnë jo vetëm shqiptarët e diasporës, por dhe ata që për arsye punësimi, studimesh apo që janë pjesë e misioneve diplomatike e ushtarake jashtë vendit mjafton të kenë një adresë të vlefshme dhe të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.
Damian Gjiknuri: Mund të jemi shumë afër realizimit të kësaj gjëje nga pikëpamja e rënies dakord përsa i përket projektligjit pasi këtu kemi futur të gjithë kategoritë që për një arsye apo një tjetër jetojnë për një kohë të caktuar jashtë vendit.
Oerd Bylykbashi: Ajo që do të ecë përpara është pikërisht kjo, votimi nga jashtë jo vetëm i atyre që janë diaspora, por të gjithë shqiptarët të cilët kanë të drejtën kushtetuese për të votuar.
Tek çështja e listave të deputetëve, palët nuk janë krejtësisht në një mendje.
Oerd Bylykbashi: Opozita e refuzon propozimin e PS për një prag tjetër, i cili është thjeshtë më i ulët.
Damian Gjiknuri: Ata janë të gatshëm për një kompromis që i afrohet formulës kushtetuese, pra të një liste që është mikse.
Gjithsesi, si Gjiknuri, ashtu dhe Bylykbashi mendojnë se deri të mërkurën ekspertët do të adresojnë të dy çështjet dhe dokumenti mund të votohet në seancën plenare të 25 Korrikut.
Tv Klan