“Stop” i rikthehet problematikës së gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu. Në fund të Janarit 2017, gjyqtarja, përmes Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) mori 3 500 euro për të nxjerrë një të ri nga burgu.

Prokuroria e Krimeve të Rënda e pushoi çështjen për Pajtime Fetahun, pasi nuk provonte dot lidhjen e saj me OPGJ-në. As Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ngriti grup disiplinor për rastin, duke bërë që gjyqtarja e pezulluar, t’i kërkonte Gjykatës Administrative kthimin në punë. Gjyqtarja Gentiana Muçaj mori vendim për kthimin në punë të Fetahut dhe kjo e fundit akuzoi emisionin “Stop” për prishje imazhi.

“Pajtime Fetahu i shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha njohjet që kishte dhe kaloi me sukses 2 pengesat kryesore, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pasi ky i fundit asokohe duhet të kishte nisur në mënyrë paralele, ngritjen e një grupi disiplinor dhe administrativ për çfarë u publikua në emisionin Stop. Një prej anëtarëve të asaj kohe, Gert Goxhaj, nuk e vuri fare ujin në zjarr, për të ngritur këtë grup dhe për të dalë në një konkluzion përfundimtar, ku do të tregonte përfshirjen apo jo të Fetahut në atë çfarë u publikua në emisionin Stop. Këto dy institucione i mbyllën sytë dhe veshët dhe i lanë rrugë të lirë gjyqtares Fetahu, e cila nëpërmjet një kërkesë të bërë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative kërkonte detyrimin e KLD për të marrë në shqyrtim kërkesën e saj dhe rikthimin e punës, pranë Gjykatës së Elbasanit. Kjo kërkesë u mor në konsideratë nga Gjykata e Shkallës së Parë Administrative. Por këtu kemi një tjetër pikë të errët nga KLD, që cili në bazë të gjithë procedurës duhet ta kishte apeluar këtë vendim, por mosapelimi që bëri KLD, bëri që vendimi i gjyqtares Gentjana Muça të marrë formën e prerë dhe më pas të përdoret në mënyrë abuzive nga gjyqtarja Fetahu”,

shpjegon gazetari i “Stop”.

Ndërsa në studio, Saimir Kodra shton:

“KLD-ja e asaj koha me Gert Hoxhajn nuk e kapi për bishti fare. KLD-ja, sot KLGJ-ja… Pra Gert Hoxhaj, një djalë i ri në moshë, që dikur edhe e kam takuar dhe kisha besim tek bindjet e atij për të bërë një gjyqësor të mirë, por mesa duket se duhet të pish një gotë verë për të provuar që gjithë buti e ka verën e mirë apo të keqe. Vera e butit që mban tani Gert Hoxhaj është e thartuar në këtë rast, është tejet e thartuar miku im. Të drejtohem nga ekrani sepse nuk të kam gjetur personalisht. Si mundet një gjyqtare si Pajtime Fetahu, në rastin që ti i ke parë mirë, qartë dhe pastër që i thotë ‘ik se kam predispozicionin pozitiv, kam folur edhe me prokuroren, e megjithëse nuk i dilte emri i vëllait, Pajtimja e dinte shumë mirë emrin e tij”.

Por kush është ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gert Hoxhaj?

Gert Hoxhaj është gjyqtari 41-vjeçar, i ri në moshë, por me një peshë të madhe pasurore mbi supe. Hoxhaj është kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe është etiketuar si një nga njerëzit antivetting, për shkak të ankimeve të herë pas hershme që ka bërë në të kaluarën, në Gjykatën Kushtetuese. Gert Hoxhaj ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku disa prej çështjeve mediatike, si ajo e Guximtar Boçit dhe Pajtime Fetahut, dyshohet se janë mbyllur duke mos vepruar qëllimisht, që çështja të devijohen nga fokusi kryesor, që është publikuar në media. Hoxhaj dyshohet se ka pasuri të pajustifikueshme në karrierën 13-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Në emrin e këtij të fundit dhe familjarëve të tij, figurojnë disa pasuri të paluajtshme. Një apartament 125 metër katror në mes të Bllokut, në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë. Një apartament në Vlorë, dy apartamente të tjera në Durrës. Gert Hoxhaj është etiketuar edhe si mjeshtër i menaxhimit pasuror, i cili blen lirë troje, banesa, makina dhe i shet shtrenjtë ato për të justifikuar pasurinë.

“Vetëm se këtë punën tonë Gert i dashur, atë që ne nxorëm, nuk e shet dot lirë. I bleve ndoshta lirë, por nuk e shet dot lirë”,

tha Kodra në studio.

Nga ana tjetër avokati Arben Llangozi rendit shkeljet e procesit, duke theksuar se gjyqi nuk mund të zhvillohet në Gjykatën e Elbasanit, pasi jemi në konflikt të hapur interesi.

“Unë jam administratori i studios ligjore jurisprudenca, që kemi marrë në mbrojtje çështjen konkrete ku janë të paditur dy drejtuesit e emisionit Stop. Gjatë njohjes me aktet, ne kemi konstatuar një seri shkeljesh të bëra nga kjo gjyqtare, që i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për shpërblim dëmi dhe cënim imazhi. Në rastin konkret, kjo gjyqtare nuk mund të pretendojë cënim imazhi, pasi ka një funksion shtetëror dhe nuk i është cënuar asnjëlloj imazhi, pasi baza ligjore që ajo operon në sistemin e drejtësisë më garantohet nga Kushtetuta dhe nuk është një person juridik që mund të ketë cënim imazhi. Marrim të mirëqenë që kësaj gjyqtare i është cënuar imazhi dhe i është shkaktuar një dëm, atëherë lind pyetja: Kush ia ka cënuar këtë imazh kësaj gjyqtareje? Është oficeri i Policisë Gjyqësore, i cili ka kërkuar shumën në të hodha në emër të kësaj gjyqtareje, është Prokuroria e Krimeve të Rrënda, e cila ka regjistruar një procedim dhe ka bërë një kërkesë për pezullim nga detyra dhe gjykata e cila ka vendosur pezullimin nga detyra. Dhe sëfundmi është Këshilli i Lartë i drejtësisë i cili ka vendosur pezullimin nga detyra në bazë të vendimit të gjykatës. Sikur të mos mjaftonte ky abuzim, me ngritjen e kësaj padie, kjo gjyqtare vijon edhe më tej duke ngritur një padi në vendin e punës ku ajo punon, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ku është regjistruar dhe po gjykohet konkretisht nga gjyqtare Matilda Fetahu, që është kolege e gjyqtares Pajtime Fetahu. Bazuar në nenin 43 të Kodit të Procedurës Civile, përcaktohet qartë se kush është gjykata kompetente në rastin e padive shpërblim dëmi dhe neni 43 përcakton qartë që sidomos për rastin konkret është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ajo që është kompetente për gjykimin e kësaj çështjeje. Ne i jemi drejtuar shpeshherë me kërkesa të shumta Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe pikërisht gjyqtares Matilda Fetahu, ku kemi kërkuar shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e akteve gjykatës kompetente, asaj të Rrethit Gjyqësor Tiranë, por çuditërisht kjo gjykatë na e ka rrëzuar këtë kërkesë. Nga vendimi i moskompetenës që na është vënë në dispozicion nga Gjykata e Elbasanit, kemi konstatuar se gjyqtarja Matilda Fetahu i është drejtuar 3 herë me kërkesë për dorëheqje Kryetares së Gjykatës, ku dhe ajo vetë nuk e përcakton veten kompetente për gjykimin e kësaj çështjeje. Kryetarja e Gjykatës së Elbasanit i është drejtuar KLGJ-së për caktimin e një gjyqtari të deleguar, përsëri me arsyetimin që Matilda Fetahu nuk është kompetente për ta gjykuar këtë çështje. Përsëri nga vendimi që na është vënë në dispozicion, KLGJ si gjithmonë ka heshtur”,

 tha avokati Llangozi.

Një tjetër fakt që për herë të dytë implikon Oficerin e Policisë Gjyqësore dhe gjyqtaren Pajtime Fetahu ësthë avokati Agron Lamaj. Ky i fundit ka qenë avokati mbrojtës i Oficerit të Policisë Gjyqësore në të gjithë procedurën penale që është ndjekur dhe më pas është shpallur fajtor me vendimin e formës së prerë. Por pikërisht i njëjti avokat, Agron Lamaj është kësaj radhe avokati mbrojtës i gjyqtares Pajtime Fetahu, në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Elbasanit, për prishjen e imazhit të kësaj të fundit. Mendoni të ketë rastësi? I njëjti avokat i cili mbron njëherë Oficerin e Policisë Gjyqësore dhe kësaj radhe gjyqtaren Pajtime Fetahu…

“Sigurisht që i gjithë ky proces do të bëhet deri në fund dhe do të bëhet ashtu si i takon me të drejtë të Zotit, se nuk mundet kurrkush nga ju që e dini shumë mirë si e keni kthyer Pajtimen në punë, e dini shumë mirë sesa telefona janë rrahur nga Elbasani e Tirana për ta kaluar, hë se s’ka gjë, për ta zbythur të gjithën. Por këtë mund ta bëni me një qytetare nga Fieri, Laçi, apo Kruja e Tropoja që nuk ka informacion. Me emisionin Stop nuk i bëni dot këto gjëra… Prandaj i bëj një thirrje shumë të fortë institucioneve, hapni sytë dhe jepni drejtësi në këtë vend për të treguar që funksiononi ju, jo për të treguar që do na bëni nder ne. Për të treguar tek ne të parët dhe tek të gjithë njerëzit që po funksionojnë këto gjëra…”

e mbylli fjalën e tij drejtuesi i Stop, Saimir Kodra.

Ndërkohë, rasti i dytë korruptiv që ka transmetuar emisioni “Stop” ka të bëjë me falsifikimin e një vendimi gjyqësor nga ana e gjyqtares Pajtime Fetahu. Por në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përsëritet situata.

KLGJ nga ana tjetër pretendon se nuk është akoma institucion plotësisht funksional, edhe pse veproi në rastin e gjyqtarit Roland Hysi.

/tvklan.al