Teksa sot në pranga kanë rënë dhe 3 persona të tjerë, pjesë e “bandës së Gëzim Çelës”, mësohet se janë dokumentuar edhe disa raste të tjera të trafikimit të drogës në Itali, Turqi, Kosovë e Greqi.
Siç raporton gazetarja Glidona Daci emrat e Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkajt kanë dalë nga bisedat e ish-policit Arlind Ismailukaj. 47 vjeçari ra në pranga Gushtin e kaluar në kuadër të “Flakë në det”.
Kujtojmë se prej këqyrjes së telefonit të tij u zbuluan edhe bisedat me Arben Dalipajn i cili në dosjen e SPAK cilësohej “kapelja” dhe që dyshohet si personi që drejtonte gomonen. Dalipaj është i vetmi që arriti t’u shpëtonte prangave dhe prej shumë muajsh është i shpallur në kërkim.
Operacioni prej të cilit u arrestuan 6 persona çoi në zbulimin e një vend baze për grumbullimin e lëndës narkotike që lidhej me lokalin luksoz pronë e familjes Çela. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza arriti të godasë grupin e 6 trafikantëve në zonën e Fushë-Kuqes, të cilët u kapën në flagrancë pasi shkëmbyen kanabisin për kokainë me anë të mjeteve lundruese gomone e velierë në mes të detit Adriatik./tvklan.al