Me urdhër të GJKKO, janë arrestuar dhe 3 persona të tjerë në kuadër të operacionit “Flakë në det”. Ata akuzohen për “trafikim narkotikësh” dhe si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci ata janë: Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj. Mësohet se ata janë pjesë e grupit të Gëzim Çelës. Ish-polici që njihet ndryshe si “baroni i drogës” ra në pranga Dhjetorin e shkuar në Ferizaj të Kosovës.
Po cila është lidhja e tij me operacionin në fjalë?
55 vjeçari doli në përgjimet për “Flakë në det” dhe u shpall në kërkim nga SPAK Tetorin e 2023-it për “trafik kokaine në mes të detit”. Personi që kishte dijeni për vendndodhjen e tij e madje e shoqëronte me makinë, ishte shefi i komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj, i cili po ashtu u vu në pranga në kuadër të këtij operacioni antidrogë.
“Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024”, njofton SPAK.
Kujtojmë se operacioni u zhvillua më 15 Gusht të vitit të shkuar, ku në pranga ranë 4 shqiptarë dhe dy ukrainas. U prangosën: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe dy shtetas ukrainas: Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë. Ata u kapën duke trafikuar lëndë narkotike me mjete lundruese./tvklan.al