Pavarësisht protestës së peshëngritësve, që përfundoi deri në përplasje fizike, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk tërhiqet nga vendimi i tij.
Drejtuesit shprehen të bindur në vendimin e tyre për ta pezulluar peshëngritjen nga aktivitetet ndërkombëtare që ka në varësi, jo vetëm si ndëshkim për përdorimin e dopingut në këtë sport, por edhe si parandalim ndaj ndëshkimeve që mund të vijnë nga Komiteti Olimpik Ndërkombetar.
“Problemi i përdorimit të dopingut në mënyrë frekuente. Për këtë federata nuk ka marrë asnjëherë masë”, tha Stavri Bello, Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH-it.
Masat e ndalimit nisin me Lojërat Mesdhetare 2018, ndërsa KOKSH kërkon reformë në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes që deri më tani ka zgjedhur vetëm presidentin e ri. Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik thotë për TV Klan se ndaj dopingut do të ketë tolerancë zero.
“Zero tolerancë karshi përdorimit të dopingut, dhe të mbrojmë sportistët e pastër, që do të thotë duke lënë jashtë ata që kanë përdorur doping.”
11 janë rastet e dopingut në peshëngritje vitet e fundit dhe ky sport rrezikon shumë nëse do të konstatohet qoftë edhe vetëm një rast tjetër.
“Sigurisht që ne duam që të kemi sportistë të pastër, sepse edhe një sportist po doli gjatë kësaj periudhe me doping, disiplina e humbet të drejtën e regjistrimit në Lojërat Olimpike 2020.”
Peshëngritësit të mërkurën thanë se e kundërshtojnë vendimin e KOKSH-it dhe se do të kërkojnë shfuqizimin e tij deri në gjykatë.
Tv Klan