Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Studioja e “Opinion” këtë të Enjte është mbushur me 10 personazhe mjaft interesantë. Ashtu siç e do tradita e emisionit, këtë herë janë përzgjedhur 11 personazhe për vitin 2024. “Përzgjedhja ka kriter strikt, mbi bazën e reagimeve në rrjetet sociale, në bazën e aktiviteteve që kanë pasur, të fushave të ndryshme. Zakonisht mundohemi të shmangim fushën e politikës. Vijnë nga të gjitha trojet shqiptare dhe janë të spikatur”, sqaroi Fevziu para se të prezantonte secilin prej tyre.

Të ftuar: Shkurte Fejza, Arjeta Puca, Sabina Kodra, Robert Radoja, Lindita Taipi, Talat Xhaferi, Igli Hasani, Kastriot Aliko, Skënder Haklaj, Fidel Ylli, Albertina Jace

Personazhet e vitit 2024 sipas “Opinion”

Studioja e “Opinion” këtë të Enjte është mbushur me 10 personazhe mjaft interesantë. Ashtu siç e do tradita e emisionit, këtë herë janë përzgjedhur 11 personazhe për vitin 2024. “Përzgjedhja ka kriter strikt, mbi bazën e reagimeve në rrjetet sociale, në bazën e aktiviteteve që kanë pasur, të fushave të ndryshme. Zakonisht mundohemi të shmangim fushën e politikës. Vijnë nga të gjitha trojet shqiptare dhe janë të spikatur”, sqaroi Fevziu para se të prezantonte secilin prej tyre.

Bëhet fjalë për:  

Arjeta Puca

Personazh i vitit 2024 për krijimin e makinës së parë ushtarake të blinduar “Shota”, Made in Albania.

Sabina Kodra

Personazh i vitit 2024 për filmin “Pikë Uji” që është zgjedhur si përfaqësues i Shqipërisë në çmimet Oscar dhe për persistencën në kinematografinë shqiptare.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” (institucion)

“Personazh” i vitit 2024 për pasagjerin e 10 miliontë dhe për mbajtjen e premtimit për ta bërë aeroportin më të madh në Ballkanin Perëndimor.

Shkurte Fejza

Personazh i vitit 2024 për 50-vjetorin e karrierës dhe dy recitalet e mbajtura në Prishtinë e Tiranë.

Lindita Taipi

Personazh i vitit 2024 për përkushtimin ndaj komunitetit dhe sakrificat e saj.

Robert Radoja

Personazh i vitit 2024 për karrierën shumëvjeçare.

Kastriot Aliko

Personazh i vitit 2024 për përkushtimin ndaj komunitetit dhe sakrificat e tij. (mësues)

Talat Xhaferi

Personazh i vitit 2024 për zgjedhjen si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Skënder Haklaj

Personazh i vitit 2024 si një nga nismëtarët e dosjes që mundësoi që “K’cimi i Tropojës” të bëhet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

KOKSH (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar) institucion

Personazh i vitit 2024 për dy medaljet e para olimpike të Shqipërisë.

Igli Hasani

Personazh i vitit 2024 si zyrtari i parë shqiptar që mori mbështetje të gjerë në kandidaturën si Sekretar i Përgjithshëm i OSBE.

Njihuni me “Shotën”, makinën e parë ushtarake të blinduar “Made in Albania” e ndërtuar nga vajza

Arjeta Puca është një nga personazhet e vitit 2024 sipas emisionit “Opinion”. Ajo është e njohur edhe më parë pasi e kemi parë të ndërtojë ambulanca, por këtë vit vjen për një arsye tjetër të pabesueshme. Kompania e saj ka ndërtuar makinën e parë ushtarake të blinduar “Made in Albania”, të quajtur “Shota”.

“E kam pasur ëndërr që të bëj një makinë ushtarake”, u shpreh Puca kur u pyet nga Blendi Fevziu. 

Makina në fjalë mban gjithsej 10 veta. Puca tha se për momentin është prodhuar vetëm një prototip, por vitin e ardhshëm është planifikuar që të prodhohet në seri.

Makinës së blinduar i është lëndë vendi për të vendosur edhe armatim. Modeli i mjetit është bërë me një dizajner shqiptar dhe kjo jo pa arsye.

“Kishim qejf ta bënim sa më shumë shqiptar të mundshëm”, tha Puca.

Madje kompania që ka krijuar makinën e parë shqiptare të blinduar është përgjithësisht e përbërë nga vajza.

“Ne jemi kompani vajzash. 70% vajza jemi te kompania. Edhe në Paris nuk e besuan kur e panë. Te standi ishim të gjitha goca pastaj. Ishte pak e pabesueshme”, u shpreh Puca.

Ajo theksoi se synohet që të merret certifikimi nga NATO në mënyrë që makina të dërgohet për zonat e luftës.

Vlerësimin për makinën e blinduar shqiptare edhe tha edhe ish-kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Si një ish-komandant ushtrie ai u shpreh se makina “i përmbush kërkesat sipas pamjes dhe kritereve”.

Bënte 150 km në ditë udhëtim, kryeministri i parë shqiptar në RMV nuk u largua kurrë nga fshati i tij i lindjes

Emri i Talat Xhaferit do të mbetet gjatë në historinë e Maqedonisë së Veriut. Ai u bë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, detyrë që e mbajti nga Janari deri në Qershor të vitit 2024. Por jo vetëm kaq.

Ai ka shërbyer edhe si kryetar i Kuvendit dhe ministër i Mbrojtjes në Maqedonisë e Veriut. Për këto arsye ai është zgjedhur personazh i vitit nga emisioni “Opinion”.

Xhaferi ishte i ftuar në studio, ku tregoi se banoi në fshatin e lindjes, pavarësisht se ishte kryeministër. Për këtë arsye ai udhëtonte 150 kilometra në ditë.

“Ka diku 75-80 kilometra në një tjetër, 150 kilometra në ditë. Ka pasur kohë që i kam bërë dhe pa eskorta si deputet”, tha Xhaferi.

Ai tregoi edhe pse zgjodhi të merrte një vendim të tillë.  

“Personi zgjedhur nga qytetarët duhet të jetë tek qytetarët dhe unë kam pasur mundësi si i zgjedhur edhe të qëndroj në hapësira zyrtare në Shkup, por duke qenë i ndërgjegjshëm për trupin elektoral që ka qenë baza, Gostivari, vendlindja ka qenë përcaktim i imi që të jem në vendlindje për çdo ditë dhe e dyta është pasojë e asaj që kam jetuar një kohë të gjatë në ish-Jugosllavi jashtë vendlindjes, jashtë Maqedonisë dhe me luftërat e atëhershme është një përvojë sa më afër shtëpisë, me qenë sa më afër popullit, sa më afër njerëzve sepse e do nevoja”, tha Xhaferi.

Mësuesi që ecën çdo ditë në këmbë për një nxënës të vetëm: Shpesh vesh dhe çizmet…

Zgjohet në orën 05:00, shpesh herë vesh dhe çizme dhe përshkon një rrugë 20 km çdo ditë për në fshatin Vodicë të Ersekës. Është ky mësuesi i jashtëzakonshëm Kastriot Aliko, i cili bën gjithë këtë sakrificë për një nxënës të vetëm! “Edukoj vetëm një nxënës me aftësi ndryshe, i spektrit autik. Në një shkollë të hershme”, tregoi ai sonte në “Opinion”.

Përpos terrenit të vështirë e kushteve të motit, ai rrëfeu se merr përsipër edhe një rrezik jo të lehtë për të shkuar te vendi i tij i punës.

“Shi në borë, duhet të shkoj në destinacion çdo ditë, plus edhe rreziku nga kafshët. Itenerari që përshkoj unë, ka kope me bagëti. Janë qentë e padashur ta hiperbolizoj, një radhë hipa në pemë sepse më erdhën qentë dhe zakonisht merrja nga ato kërcaskat që i hidhja për t’i trembur. Është dhe për të qeshur, por ky është realiteti.”

“Kam studiuar në Gjirokastër ciklin e ulët, më pas Gjuhë Letërsi. Masterin…Kam dy çuna që banojnë këtu në Tiranë, njëri ka mbaruar Akademinë e Arteve ndërsa tjetri vazhdon për Inxhinieri elektronike në master”, shtoi Aliko.

Ka 36 vite në arsim dhe gjëja e vetme që e ka shoqëruar gjithnjë ka qenë pasioni për punën. “Edhe pse është një fëmijë, më fal shumë kënaqësi. Herë më thotë o Kaçi si je, herë më thotë o mësues”, tha Aliko.

Me këtë histori gati të pabesueshme dhe për t’u admiruar, Aliko e meriton denjësisht të jetë në listën e 11 personazheve të këtij viti.

“Për shokun tim që nuk jeton më”, Robert Radoja emocionon me performancën e rrallë në “Opinion”

Kur vjen puna te karriera, çfarë mund të themi për Robert Radonë… Prej 81 vitesh që i bie pianos, Radoja ka kompozime të panumërta që kanë hyrë në zemrën e çdo dëgjuesi.

Por ajo që bëri këtë të enjte në emisionin “Opinion” i përloti të gjithë. Robert Radoja luajti një pjesë që nuk e kishte bërë kurrë në publik në nder të mikut të tij, Vladimir Kapo, i cili nuk jeton më.

“Dikur kemi qenë edhe ne të rinj dhe kishim ëndrra të bukura. Ishim një brez që ishim 3 djem. Një ishte më i vogël që vdiq shumë shpejt në një aksident dhe një pianist, pedagog dhe tërë jetën më shumë kam ndenjur me këtë shokun tim pianist sesa me vëllain tim se ai kishte profesion tjetër. Ky quhet Vladimir Kapo, ka një vit që është ndarë nga jeta. Atëherë ne ëndërronim dhe donim t’i linim kujtime njëri-tjetrit të ndryshme. Unë kisha një mik, ju e dini emrin e tij që ishte dhe aktor, por më shumë regjisor, Serafin Fanko. Ai kishte shumë aftësi për të shkruar poezi dhe një ndjesi për strukturën muzikore. Bënte tekste këngësh të mrekullueshme. Edhe ne i linim. Unë i kam lënë një amanet, nuk i kam rënë kurrë në publik këtë që do loz tani, për këtë si vëllain tim, Vladimir Kapon që nuk jeton më”, tha Radoja.

Mbi 3 dekada mjeke në zonat e thella, Lindita kujton ditët e vështira: Na u turrën qentë…

Lindita Taipi punon prej më shumë se 3 dekadash në qendrën shëndetësore në Fushë-Kuqe (rrethi Kurbin). Mjekja është përzgjedhur si një nga personazhet e këtij viti dhe jo më kot, pasi ajo ka një karrierë të gjatë, frymëzuese dhe padyshim me sakrifica. Sonte në studion e “Opinion”, ajo kujtoi edhe periudhën kur ka punuar në Kukës.

“E mbaj mend periudhën e epidemisë së fruthit, pas derës kishte edhe 60,70 vizita në ditë. Raste të rënda, më shumë fëmijët që ishin me pneumoni të rënda. Në ato vite, kushtet s’kanë qenë të mira. Një dhomë kishim, aty bënim vizitat. Shkonim edhe me personelin e mjekësisë edhe nëpër shtëpi. Kam punuar edhe në spitalin e Kukësit, kam qenë mjeke roje te pediatria.”

 Pas 4 vitesh në Kukës u zhvendos në Fushë-Kuqe, atje ku vazhdon edhe sot misionin e saj.

“Të shkosh në Adriatik në këmbë bashkë me infermieren, s’është e thjeshtë…E mbaj mend njëherë që na janë turrur të gjithë ata qenë…”, rrëfen Lindita.

Por pavarësisht ditëve të vështira, ajo thotë se njerëzit e zonës janë tejet paqedashës dhe të respektueshëm. “S’kam bërë asnjëherë të vetme debate me njerëz.”

Më e bukura? Lindita tregoi se në Mars 2025 del në pension, por do kërkojë ta ushtrojë detyrën e saj në vijim pasi nuk ka mjekë. “Më pëlqen zanati im! Që kur isha fëmijë ishte ai filmi “Plagë të vjetra”, i thashë babit do shkoj vetëm mjeke, kam mbaruar me të gjitha 10-ta”, tha ajo.

5 tropojanët më të famshëm sipas Robert Radosë

Me një karrierë të gjerë në fushën e artit dhe muzikës, Robert Radoja në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte vjen i ftuar si personazhi i vitit 2024. Megjithëse moshën ia tregojnë thinjat e bardha, kujtesa nuk i është venitur aspak.

Me krenari Robert Radoja tregon për publikun 5 emrat e artistëve tropojanë që gëzojnë një karrierë të pasur dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Robert Radoja: Unë kam një mik nga Tropoja këtu edhe po ju përmend 5 emra tropojanësh që janë të famshëm në Europë.

Blendi Fevziu: Që janë nxënësit e tu?

Robert Radoja: Një më të dashurin Besnik Doshlani flautist, nuk është këtu, është në Itali. Valbona Malaj violiniste, Preng Mrixha në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit tani është larguar dhe ai. Fatime Sokoli, legjenda.

Blendi Fveziu: Nxënësja jote?

Robert Radoja: Indirekt. Kam pas njohur një vajzë që nuk jeton më tani, që i ka sjellë medaljen e arit, Xhevahire Gashi. Ka sjellë medaljen e arit nga festivalin e Moskës. Dhe një këngëtare mjaft e njohur, është përsëri nga Tropoja, Anila Hoxha. Para 3 netëve televizioni dha një sekuencë kur këndonte.

Blendi Fevziu: Profesor po punon akoma?

Robert Radoja: Deri para pandemisë kam qenë shumë aktiv, tani kam rënë shumë.

Blendi Fevziu: Po ulesh përsëri në piano, përditë?

Robert Radoja: Sigurisht!

Fitorja e medaljeve të para olimpike, Ylli: Gjyqtarët na bënë dëm, na iku e arta

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është përzgjedhur nga emisioni “Opinion” si personazh i vitit 2024. Vlerësimi vjen për shkak të dy medaljeve të para olimpike që i erdhën Shqipërisë. Në studion e emisionit këtë të enjte ishte kreu i saj, Fidel Ylli.

“Janë medaljet e para. Ne na humbi Tokio për 1 kilogram”, tha Ylli për Blendi Fevziun.

Presidenti i KOKSH shpjegoi në studio uniformën, të gjithën të personalizuar, që nga syzet “Team Albania”, termusi, kapelja, ora, revista e deri te rripi me logo.

Ylli tha se Shqipëria humbi medaljen e artë për shkak të dëmit që iu bë nga gjyqtarët ditën e parë të ndeshjeve.

“Ne morëm medaljen e bronztë. Na iku medalja e artë. Na bënë një dëm shumë të madh gjyqtarët ditën e parë. Po ta tregosh videon këtu do habitesh si ka mundësi. E kishim medaljen e artë”, tha Ylli.

Shqipëria fitoi dy medalje të bronzta nga Chermen Valiev me origjinë nga Osetia dhe Islam Dudaev me origjinë nga Dagestani.

“Këta nuk kanë qenë kampionë bote, këta u bënë në Shqipëri. Këta kanë qenë sportistë normalë në vendet e tyre”, tha Fidel Ylli.

Kreu i KOKSH tha se në 30 vite Shqipërisë i kanë humbu 37 medalje pasi sportistë shqiptarë kanë përfaqësuar vende të ndryshme.

“50 vite nuk jam ndal”, Shkurte Fejza kujton periudhën e luftës në Kosovë

50 vjet në skenë! Këngëtarja e suksesshme me zërin brilant Shkurte Fejza nuk mund të mungonte sonte në studion e “Opinion”. Tha se karrierën e saj muzikore e ka nisur që para ’70-ës, por regjistrimin e parë të një kënge e realizoi në vitin 1974.

“Kam bërë regjistrimin e parë në televizionin e Prishtinës në atë kohë, dy vite më herët pati nis. Pastaj erdhën në fshatin tonë, e hajde një këngë për Vojo Kushin që e këndova në Kosovë. Që nga ajo kohë unë asnjëherë nuk jam ndal, 50 vite rresht…Në Kosovë, Shqipëri, diasporë, Amerikë kudo ku ka shqiptarë.”

Teksa kthehet pas në kohë, rrëfeu si e ka përjetuar luftën në Kosovë.

“Kemi qenë në fshat dhe ka qenë një periudhë shumë e tmerrshme. Shoku im para luftës është marrë edhe me aktivitet politik, pastaj meqë merrej me politikë, me ik të parët nuk shkonte dhe ngelëm ashtu sepse të gjithë banorët e pyesnin dhe desh lamë kokën për atë përgjegjësi. Kemi bashkëjetuar në njëfarë forme edhe me serbin. Mendonim që do kalonim mirë, edhe luftën ndoshta, mirëpo ndodhi e kundërta. U armatosën! E kujtoj që kemi shkuar te një teze e Hajrushit, edhe vëllai i shokut ka qenë ushtar e pastaj ra dëshmor. U vështirësuar jeta jonë atje, më 3 Prill kemi ardhur në Shqipëri, udhëtimi ynë zgjati 4 ditë, nga Prizreni. Me traktor, me makina…”, tregoi këngëtarja.

Zëri brilant i “Mora fjalë”, Shkurte Fejza: S’e kisha menduar që do merrte këto përmasa!

50 vite në skenë e padyshim zëri i preferuar për shqiptarët nëpër stadiume. Këngëtarja Shkurte Fejza foli sonte në “Opinon” edhe për këngën hit “Mora fjalë” që është kaq e dashur e rrëqethëse në çdo notë.

“Kënga është e autorit Naim Gjoshi, është tekstshkrues dhe kompozitor i kësaj kënge. Fillimisht Naimi e ka kompozuar për një djalë tjetër, pastaj për arsye të disa interesa të atij këngëtari, tha nëse ma merrni këngën t’ja editonim programin e tij. Për hatër të kësaj kënge edhe jemi pajtuar. E kam marrë këngën pastaj”, tha Fejza.

Ajo shtoi se kjo këngë është pritur mirë që në fillim, mirëpo asnjëherë se kishte menduar që do merrte këto përmasa. Në 5 dekada, cili është koncerti më i bukur për Shkurte Fejzën?

“Kam bërë koncerte para luftës dhe pas, 12 Tetori paraqitja ime në stadium! Por edhe ai më 8 Qershor, konncerti i karrierës në Prishtinë. Shumë i realizuar me të gjithë ata miq e dashamirës që më nderuan.”

6 vjet për ta realizuar, filmi që përfaqëson Shqipërinë në Oscars

Sabina Kodra ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” si përfaqësuese e filmit “Pikë Uji”. Ky film është përzgjedhur nga emisioni si personazh i vitit 2024 si përfaqësues i Shqipërisë në çmimet Oscars dhe për persistencën në kinematografinë shqiptare. Kodra tha se Akademia e Çmimeve Oscars është duke votuar tashmë dhe se nga SHBA-ja ka shenja të mira.

“Ky është moment fantastik që jam në emision sepse jemi në votim. Akademia është duke votuar. Sigurisht që kemi shenja të mira, që po ecin mirë. Artikulli Variety ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ne. Është nga rastet e rralla që kritika botërore mund të flasë në atë nivel superlativash, kështu që jemi shumë të lumtur”, tha Kodra.

Por çfarë trajton ky film?

Filmi trajton Aidën, me Gresa Pallaska në rolin kryesor, një grua në moshën 45-vjeçare në kulimin e karrierës në Pogradec, e cila po firmos kontratën më të rëndësishme të jetës së saj.

Atë ditë i vjen një telefonatë që djali i saj Marku akuzohet për përdhunimin e shoqes së klasës, Borës.

Këtu nis rrugëtimi i Aidës, që do të vërtetojë që i biri nuk ka kryer krimin dhe duke u përpjekur për të zbuluar këtë të vërtetë, ajo zbulon të vërteta shumë herë më të egra për veten e saj për mënyrën si e ka ndërtuar jetën.

Për ta realizuar filmin, siç tha Kodra, janë dashur 6 vjet punë. Kostoja industriale e filmit 920 mijë Euro dhe vjen si bashkëprodhim mes 5 vendeve ku bashkë me Shqipërinë janë edhe Maqedonia e Veriut, Kosova, Italia dhe Rumania.

Ndërkohë Kodra tha se në Shqipëri ka nevojë për ligje për pjesën e kinematografisë.

“Ajo që ne kemi nevojë janë ligjet. Kemi nevojë për infrastruktura. Kemi nevojë urgjente për ligjin tax incentive, për ligjin audiovizualit, ne nuk jemi varfanjakë, ne nuk kemi nevojë për lëmoshë, jemi potenciale që nëse na jepet infrastruktura e duhur do ta çojmë shumë larg Shqipërinë”, tha Kodra.

“Gati fluturova”, Skënder Haklaj rrëfen emocionet kur “K’cimi i Tropojës” u regjistrua në UNESCO

“Gati fluturova, por s’kisha takat”. Kështu u shpreh Skënder Haklaj për emisionin “Opinion”, të cilit para 12 vitesh i lindi ideja që “K’cimin e Tropojës” ta çonte në UNESCO.

E pas kaq kohe e një numri të madh dokumentesh, kërcimi i veçantë u regjistrua në UNESCO si pasuri jomateriale e njerëzimit. 

“Unike është sepse k’cimi është paravalle. Tropoja s’ka valle. Ka k’cim. Është unik, është solistik, vetjak, vetëformues dhe është shumë historik. Pse është paravalle? Shoqërohet me instrumente paramuzikorë. Merr një gur dy rrasa, bjeri, kërcejnë tropojanët. Në asnjë valle tjetër s’futen dot. Ky është një nga argumentet shkencore. Tjetra është se vallja është pjesë e jashtme e riteve, ndërsa k’cimi është pjesë e brendshme, se e shpreh ritin. Është jeta e malësorit në bjeshkë, jeta është produkt i mjedisit. Shkel shputën këtu, k’cim përpjetë për të hipur në majë të bjeshkës dhe po hipe në majë të bjeshkës shkon në qiellin e 7 siç shkoi k’cimi në UNESCO”, tha Haklaj.

Skënder Haklaj u shpall nga emisioni “Opinion” si personazh i vitit 2024 si një nga nismëtarët e dosjes që mundësoi që “K’cimi i Tropojës” të bëhet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Mori 39 vota për Sekretar i Përgjithshëm i OSBE! Hasani tregon në “Opinion” pse u tërhoq nga gara

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka dhënë një intervistë ekskluzive sonte për “Opinion” ku flet për karrierën e tij diplomatike dhe ushtrimin e detyrës aktuale. Vitin e shkuar, Hasani ishte kandidati i vetëm zyrtar për Sekretar të Përgjithshëm në OSBE. Por si u vendos që vendi ynë të marrë pjesë në këtë garë?

 “Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë pati një moment të vështirë në lidershipin e vet, pamundësinë për vazhdimin e mandatit të atyre që po e drejtonin. Kryesia malteze e OSBE-së vendosi hapjen e një gare, garë e cila u hap në muajin Qershor të këtij viti, në mënyrë që të kishte boshllëk në lidership. Në asnjë moment s’e kisha menduar që do t’i rikthehesha organizatës në asnjë lloj formati, kam punuar para se të merrja detyrën dhe kur m’u bë ftesa për t’ju bashkuar qeverisë Rama, jo vetëm që nuk pata asnjë hezitim, por mendoj se kam qenë thelbësisht i fokusuar në punën që po bëhej. Por një seri kolegësh të huaj menduan dhe ishin koordinuar që të kishte një kandidaturë nga Shqipëria dhe kjo kandidaturë të isha unë.

Jo vetëm për faktin se Shqipëria ka një perceptim shumë të mirë në raport me atë që ka bërë në fushën e diplomacisë vitet e fundit, por edhe sepse në vitin 2020 ne kryesuam denjësisht OSBE-në. Fakti që unë isha pjesë e atij mekanizmi, sekretariati për periudhën para se të bëhesha pjesë e qeverisë. Ka qenë shumë e vështirë që në radhë të parë të bindja veten, pasi i binte që unë të filloja që vetëm 6,7 muaj pasi isha kthyer, të mendoja të lija Shqipërinë. Por, kryeministri ishte i bindur që kjo ishte një mundësi e mirë për të gjithë ne, për vendin, rajonin…”, deklaroi ministri i Jashtëm.

E pavarësisht se mori 39 vota përballë “rivalëve” të tjerë, Hasani shpjegon arsyen pse tërhoq nga gara e rëndësishme.

 “OSBE nuk e ka parimin e votës, por të konsensusit. Pra që vendimet të jenë të miratuara, duhet që të 57 vendet anëtare t’i pranojnë. Unë mora 39 preferenca, rivali turk kishte 9 preferenca dhe 9 vende ishin abstenim, për të shkuar në të dy drejtimet. Është një përpjekje shumë e mirë dhe ambicioze që diplomacia shqiptare ka bërë ndër vite për të pasur këtë nivel përfaqësimi që ne kemi. Duke nisur nga Kryesia e OSBE-së në 2020-ën, angazhimi në Këshillin e Sigurimit në periudhën 2022-2023, por edhe në shumë nisma që e kanë ngritur reputacionin e vendit.

Sepse kuptuam në radhë të parë që dy prej partnerëve tanë strategjikë dëshironin dhe këmbëngulnin që t’i merrnin ato pozicione. Turqia dhe Greqia. Kuptuam se me gjithë mbështetjen masive, kishte edhe ndonjë vend që priste momentin e duhur për të minuar të gjithë paketën mbështetëse dhe për ta shndërruar këtë proces kaq gjithëpërfshirës në një proces refraktar i cili do çonte në bllokimin e punës së organizatës dhe një shkatërrim të gjithë asaj pune”, sqaroi Hasani.

Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së në vitin 2030!

Igli Hasani mori besimin e kryeministrit të vendit Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Jashtme në Gusht 2023. Por karriera e tij diplomatike është e gjatë dhe me shumë suksese. Sonte në një intervistë për “Opinion”, ai flet për punën e tij ndër vite dhe po ashtu tregon ‘sfidat’ si ministër.

 “Jam nëpunës civil që prej vitit 2001, kam punuar në Ministrinë e Mbrojtjes që nga 2001-i deri në fillim të vitit 2018. Më pas jam emëruar ambassador i Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare në Vienë, mbuloja OSBE-në dhe zyrat e OKB-së në Austri. Më pas u pranua Shqipëria që të drejtonte OSBE-në, fati dhe angazhimi im ka qenë se unë kam drejtuar ekipin e Shqipërisë në atë vit të vështirë. Këtu më është bërë oferta e parë nga OSBE-ja për të punuar në Sekretariat, ku kam punuar nga 2021-i deri në Gushtin e vitit të kaluar që mora detyrën e ministrit të Jashtme. Ky vit është shumë i rëndësishëm për hapjen e negociatave me BE-në. Duam të hapim edhe dy grup-kapituj për vitin 2025 dhe njëkohësisht të plotësojmë të gjitha angazhimet që kemi. 2024-a ka pasur angazhime të mëdha për atë që po bën Shqipëria në arenën ndërkombëtare, kemi organizuar dy samite si dhe kemi angazhime konkrete që janë pjesë e përditshme e punës tonë dhe aspak pjesë e retorikës politike”, tha ai.

Teksa e cilësoi prioritet procesin e negociatave me BE-në, Hasani u shpreh me bindje se Shqipëria do jetë pjesë zyrtare e familjes europiane në vitin 2030.

“Është mëse e qartë që Shqipëria do jetë anëtare e Bashkimit Evropian në 2030-ën. Absolutisht po! Me përfundimin e gjithë negociatës teknike, do vijojë angazhimi politik për të ratifikuar të gjithë këtë marrëdhënie në vendet anëtare të BE-së. Është konkrete, e qartë, e detajuar dhe e mirëpranuar si nga ne edhe nga BE”, përfundoi ministri.

/tvklan.al