Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Një ditë pas debatit të ashpër mes kolonelit të Elbasanit Edmond Kosenit dhe drejtorit të kufirit në Ministrinë e Rendit Publik, Pjerin Ndreu, sot tema kryesore e bisedave mes nënpunësve blu ishte pikërisht kjo. Ashtu siç dihet tashmë, dy kolonelët Ndreu dhe Koseni, vetëm pak pas mbarimit të mbledhjes së drejtorëve të policisë me ministrin Poçi, për luftën antitrafik, kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin. Koloneli Pjerin Ndreu mohon të jetë goditur nga Koseni. Për TV Klan ai sqaron të gjithë ngjarjen dhe përplasjen e tij me kolonelin e Elbasanit.

Kolonel Pjerin Ndreu:- “Jam i detyruar të prononcohem, duke marrë parasysh mënyrën se si e ka interpretuar media, por edhe heshtjen që kanë mbajtur organet kompetente, që duhet të japin një gjë zyrtare për këtë problem. Unë dua të them se në interpretimin e medias nuk ka asgjë të vërtetë. E para mund të them se nuk ka pasur asnjë raport nga ana ime kundër trafikut klandestinë, e dyta nuk ka pasur zënie të tillë të karakterit goditje grushtesh, kjo është një manipulim i shtypit. Ka pas një debat, i cili në momente të caktuara u ashpërsua, por vetëm kaq”.

Edhe protagonisti tjetër i kësaj ngjarje drejtori i policisë së Elbasanit, Edmond Koseni, i pyetur sot nga Klan brenda drejtorisë së policisë, mohon të ketë goditur me grusht kolonel Ndreun.

Kolonel Edmond Koseni:- “Problemi është që kjo u fry çik shumë nga shtypi. Nuk është e vërtetë që unë kam provokuar njeri dhe nuk është e vërtetë që mua në mbledhje më ka akuzuar njëri. Në mbledhjen e ministrisë ne u lavdëruam si drejtori, sidomos në mbledhjen e armëve dhe nuk pati ndonjë akuzë. E vërteta është që kur u futa në lokalin për të pirë kafe, më kanë provokuar, që unë të kryej ndonjë veprim më të rëndë. Kjo bëhej me qëllim për të denigruar figurën time dhe punën e mirë që bën drejtoria e policisë Elbasan”.

Ndërkohë Ministri i Rendit Publik Spartak Poçi nuk pranoi të prononcohej për këtë problem, duke thënë se është një ngjarje banale e çastit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj