Komandanti i ri i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dialogu me Serbinë është platforma e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhur.

Gjatë takimit me Kurtin, Barduani tha se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është po ashtu platforma e vetme “për të arritur zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve, dhe kjo është kyç për sigurinë afatgjate në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, njoftoi një zëdhënës i misionit të KFOR-it.

Barduani po ashtu tha se është i përkushtuar në zotimin e tij për të promovuar unitetin e përpjekjeve me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinim dhe të zvogëlohet mundësia e veprimeve që mund të çojë në tensione”.

Vitin e kaluar, tensionet mes Kosovës u rritën pasi në maj kryetarët e rinj shqiptarë morën mandatin në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Më 29 maj, gjatë protestave para ndërtesës së Komunës në Zveçan, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, pas përleshjes me protestuesit serbë. Tensionet kulmuan më 24 shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimet e zjarrit që pasuan në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kosova e fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon se ka gisht në këtë sulm.

Autoritetet drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiçit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë. Radoiçiç dhe të tjerët besohet se janë të lirë në Serbi.

Edhe më herët KFOR-i vazhdimisht ka përsëritur se dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe KFOR-i.

Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

/REL