Moderatori  i “Euro Zone”, emisionit që pritet të startojë në ekranin e Tv Klan nga 14 Qershori i ftuar në studion e Klan News me gazetarin Besard Jacaj u shpreh shumë optimist për Kombëtaren Shqiptare në Europian.

Lasku u shpreh se Shqipëria ka për të qenë një hall shumë i madh për çdo ekip në Euro 2024. Ai theksoi se nuk duhet ta humbasim besimin tek Kombëtarja pasi nuk n’a mungon asnjë gjë përveç përvojës së fitores.

Genti Lasku: Unë pres e para që të kenë shumë fat. Ajo që shikoj nga Kombëtarja është që e para shikoj se kemi eksperiencë dhe jemi për herë të dytë. Ajo që na dallon ne kemi një mentalitet tjetër në lojën tonë, herë sulmues e herë dominues. Gjë që ne nuk kemi pasur mundësinë që ta kultivojmë si një taktikë loje të vazhdueshme. Unë mendoj që Shqipëria do të marrë rezultatin më të mirë ndonjëherë të mundshëm, për shkak të gjendjes atletike dhe për shkak të elementeve të rinj që ka ndërthurur Sylvinho. Do të kemi një përgatitje atletike shumë të lartë. Unë di një gjë që ne kemi për të qenë një hall shumë i madh për çdo ekip. Një sfidant i denjë dhe i drejtë për këdo. Kemi përballë tre pretendentë.

Doja të thoja që Shqipëria duhet të marrë një rezultat sa më të mirë. Jam i bindur që çdo humbje për mua është është një hap drejt fitores. Ti nuk mund të fitosh nëse nuk humbet sepse ti kur humbet fiton një mësim të vyer. Ekipet kanë një histori të jashtëzakonshme të ekperiences në kompeticionet ndërkombëtare. Ekipi jonë mendoj që ka një gjendje shumë të mirë. Mos ta humbasim besimin pasi nuk n’a mungon asgjë, përveç përvojës për të ditur si fitohet për të dalë nga grupi. Historia ka treguar që ekipe më të dobëta kanë arritur të dalin.

Ndërsa sa i përket kritikave ndaj trajnerit Sylvinho lidhur me përzgjedhjen e listës së futbollistëve për Euro2024, Lasku shprehet se askush nuk mund të gjykojë për një pozicion në të cilin nuk ka qenë ndonjëherë. Moderatori theksoi se këto kritikat para ndeshjeve nuk janë të shëndetshme për energjinë e ekipit kombëtar.

Genti Lasku: Më vjen shumë keq për këtë sepse nuk janë të drejtë të gjykojnë dikë për sa kohë nuk kanë qenë kurrë në pozita të tilla. E para unë kurrësesi nuk mund të marr parasysh mundësinë e sado të vogël të komentoj dikë që jo vetëm është në një pozitë që unë nuk kam qenë më parë, dhe unë e di që ti trajnerin edhe nëse je pjesë e ekipit nuk mund ta gjykosh. Këto kritikat para ndeshjeve unë mendoj që nuk janë të shëndetshme për energjinë që duhet t’i çojmë ekipit kombëtar./tvklan.al