KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) është mbledhur këtë të Hënë për shkarkimin e kryetarit Alfred Balla. Siç raporton gazetarja Glidona Daci, mbledhja drejtohet nga nënkryetari Tartar Bazaj. Të pranishëm janë 10 anëtarë.

Më 21 Maj, Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi që ai të mos ushtronte detyrën në asnjë institucion të drejtësisë për 15 vite. Kjo pasi deri në vitin 2017, kur kishin hyrë në fuqi ligjet e reja të Reformës në Drejtësi, Balla kishte punuar si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.


Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr. 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, thuhej në vendimin e KPA.

Sipas KLP, Balla ka refuzuar t’i nënshtrohet vetting-ut. Ndërkohë ky i fundit në reagimin e tij në rrjetet sociale, e cilësoi “vendim të turpshëm”.  Ai paralajmëroi se çështjen do e apelojë në Gjykatën e Strasburgut.

Reagimi i Alfred Ballës:

Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.

Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat.

Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje.

Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj.

Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…

Kujtojmë se Alfred Balla u zgjodh në KLP nga Kuvendi, si kandidat i propozuar nga shoqëria civile. /tvklan.al