Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Komisioni parlamentar hetimor për Telekomunikacionin ende nuk ka filluar punën. Afati i këtij komisioni miratuar nga Kuvendi dy muaj më parë, përfundon në 19 Maj, por sipas deputetëve të opozitës, hetimet janë penguar qëllimisht pasi ka mungesa në dokumentacionet e kërkuara për shqyrtim. Ky fakt është pohuar edhe nga nënkryetari socialist i këtij komisioni.
Ilir Bano: “Normalisht këtu duhet të ishin të pesë pasqyrat që të gjykojmë, është pasqyra numër një, është pasqyra numër dy dhe pasqyra numër tre, katër dhe pesë mungojnë. Kemi disa raste të këtij lloji ku mungojnë anekse dhe kryesisht janë anekse tarifash, tepër të rëndësishme”.
Fatos Beja: “Këtu tani ka dy mundësi, ose praktikisht ky dokumentacion nuk ekziston në administratën shtetërore, dmth. keqbërësit, ata të interesuar që të mos ketë shteti dokumente, i kanë prishur këto dokumente, ose është kjo, ose është varianti i dytë, titullarët e këtyre institucioneve nuk dëshirojnë t’i japin komisionit parlamentar dokumentet për të vërtetuar nëse puna e tyre është e mirë, ose s’është e mirë”.
Flamur Rogu: “Ja u kam shprehur dhe vullnetin që të shkojmë bashkërisht dhe t’i japim zgjidhjen përfundimtare disa prej dokumenteve anësor, që i nevojiten këtij komisioni. Megjithatë, unë do të thosha që do të ishte më e udhës që t’i shmangim ca efekte, mbase mund t’i bëjmë në kohën e duhur dhe këto efekte të interpretimit, se në më shumë sqarojmë njëri-tjetrin në komision, se sa dalim për efekte publicitare”.
Komisioni vendosi që në mbledhjen e ardhshme të miratojë planin e hetimit, në thelb të së cilit do të jenë procedurat e privatizimit të operatorëve të lëvizshëm, marrëveshjet e interkonjeksionit të Albtelecomit me operatorët ruralë të telefonisë fikse dhe asaj të lëvizshme, si dhe gjendjet financiare, ndërsa dëshmitarët do të merret në pyetje nga data 4 deri 18 Maj./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj