Komisioni hetimor parlamentar i ngritur ndaj kryebashkiakut Edi Rama në mbledhjen e tij të radhës ka publikuar të tjera fakte në lidhje me praktikat dhe mënyrat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Shkurti i vitit 2008 deri në Prill të 2009-tës.
Sipas kryetarit të këtij komisioni në gjashtë mbledhjet e KRRT-së së Tiranës 43 leje ndërtimi janë dhënë për studion Atelier 4 dhe 16 të tjera i janë dhënë projektuesit Artan Shkreli.
Ferdinand Xhaferri: “43 leje ndërtimi i ka marrë Atelier 4 e Alban Eftimit dhe 16 leje ndërtimi i ka marrë Artan Shkrelit. Alban Eftimi, ish-shef urbanistike në Bashkinë e Tiranës aktualisht përfaqësues i Edi Ramës në KRRT, anëtar KRRT-je. Artan Shkreli, po përfaqësues i Edi Ramës, anëtar KRRT-je. Në total këta zotërinjtë kanë marrë 59 leje ndërtimi”.
Sipas demokratëve të vetmit të pranishëm në këtë komision, raporti që do t’i përcillet kuvendit do të jetë i ndarë në tre pjesë dhe do të fokusohet në kushtetutshmërinë e ngritjes së tij në objektin e hetimit dhe së fundmi pjesë e tij do të jenë dhe konkluzionet me argumentin përkatës se përse materiali që do të depozitohet përbën shkelje ligjore dhe konflikt të hapur interesi ndaj kryebashkiakut Rama.
Komisioni hetimor Rama 2 u ngrit dy javë më parë, ndërkohë që ai është bojkotuar nga ana e opozitës pa nisur ende nga puna./tvklan.al