Durrësi, qyteti më i prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, është goditur në sektorin më të rëndësishëm, atë të turizmit.
Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ishin të ftuar ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe ish-ministri i Turizmit Ferdinand Xhaferri, të cilët diskutuan si do të zgjidhet problemi i turizmit pas tragjedisë që goditi vendin tonë.
Ministri Klosi theksoi se lajmi i mirë është që deri më tani nuk ka asnjë anulim nga agjencitë e udhëtimeve. Për të garantuar besimin e turistëve të huaj, operatorët turistikë do të kërkojnë nga hotelet në Durrës certifikim zyrtar për sigurinë e ndërtesave të tyre.
“Hotelet nuk kanë pësuar gjë. Turizmi është dëmtuar, por besoj që kemi nevojë për shumë PR. Por fatmirësisht, asnjë anulim nuk kemi për momentin. Kompanitë janë shumë strikte në këtë situatë, kërkuan certifikim zyrtar. Por dhe vetë tërmeti dëshmoi që hotelet që janë certifikuar janë hotele të qëndrueshme dhe tërmeti nuk i dëmtoi fare”, u shpreh ministri Blendi Klosi.
Por ndryshe mendon ish-ministri i Turizmit Ferdinand Xhaferri, i cili thotë se turizmi ringjallet vetëm nëse vendoset drejtësi.
“Më vjen keq që ministri edhe këtë situatë mundohet ta paraqesë si rozë, por në fakt ishte një shok. Elementi i parë është, nuk mund të ketë ringjallje nëse nuk ka drejtësi. Nuk vrau tërmeti, ka vrarë dora e njeriut. Po nuk u vendos drejtësia, nuk mund të ketë ringjallje shpirtërore dhe asnjëherë nuk do vendosen rregullat”, tha Xhaferri. /tvklan.al